Tërmeti në Meksikë, 237 viktima dhe 1 mijë e 900 të lënduar

Bota September 22, 2017 - 13:53

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm i Meksikës është rritur në 273 persona, ndërkohë ekipet e shpëtimit garojnë kundër kohës për të arritur tek të mbijetuarit e bllokuar.

Presidenti Enrique Peña Nieto tha se shpëtimi dhe gjetja e atyre që u plagosën nga tërmeti 7.1 ballësh të martën do të mbetet "përparësia më e madhe".

Tërmeti rrëzoi dhjetëra ndërtesa dhe la miliona banorë të kryeqytetit meksikan pa energji elektrike

“Qeveria dhe e gjithë shoqëria jonë është përballur brenda më pak se dy ditësh me një interes dhe solidaritet masiv, pasojë e tërmetit që goditi pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Përparësia jonë vazhdon të jetë shpëtimi i njerëzve dhe vëmendja mjekësore për ata që kanë nevojë.

Deri tani, më shumë se 50 vetë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura në Mexico City. Ekipet e emergjencës po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e personave që ende rezultojnë të zhdukur në kryeqytet dhe në Puebla”, tha Presidenti i vendit.

Më shumë se 1 900 persona kanë marrë trajtim mjekësor vetëm në Mexico City, por shumica e tyre tashmë kanë dalë nga spitalet. Bilanci i vdekjeve nga lëkundjet e dhunshme të tokës është fiksuar aktualisht në 273.