Meksikë, vijojnë operacionet e shpëtimit

Bota September 21, 2017 - 13:13

Ekipet meksikane të shpëtimit kanë përqendruar kërkimet nën rrënojat e një shkolle fillore ku mendohet se kanë humbur shumë fëmijë, pas tërmetit të një dite më parë që shkaktoi rreth 230 viktima.

Të paktën 21 fëmijë dhe pesë të rritur humbën jetën kur shkolla fillore u shemb, ndërsa shumë të tjerë mungonin, transmeton "Zeri.info".

Skuadrat e shpëtimit kanë mundur të gjejnë një vajzë 13-vjeçare, e cila ishte strehuar poshtë një tavoline dhe shpëtoi mrekullisht.

Përmes një skaneri termal, vullnetarët e mbrojtjes civile arritën të dallonin të mbijetuar midis pllakave të betonit të shkollës fillore, ku shumë prindër u mblodhën për të pritur lajme për fëmijët e tyre.

Presidenti Enrique Pena Nieto ka shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat, teksa operacionet e shpëtimit vijojnë, pavarësisht kushteve të vështira të terrenit dhe atmosferike.

Autoritetet meksikane nuk kanë humbur shpresat pasi 52 persona kanë mundur të shpëtohen nga 39 godinat e shembura në qytetin e Meksikos. /ZËRI/