Trump dhe Koreja e Jugut arrijnë marrëveshje, ja plani që kanë për Kim Jong-un

Bota September 19, 2017 - 10:04

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe ai i Koresë së Jugut, Moon Jae-in kanë arritur në një marrëveshje të re. 

Dy liderët do intensifikojnë sanksionet kundër Koresë së Veriut pas testimeve të përsëritura bërthamore dhe raketore. Në këtë mënyrë ata do të rritë presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Penianit.

Liderët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin dhe të vendosin sanksione më të forta e praktike ndaj Koresë së Veriut, në mënyrë që autoritetet atje të kuptojnë se veprimet e tyre provokuese, do ta çojnë vendin në izolim të mëtejshëm diplomatik dhe presion ekonomik.

Trump dhe Moon dënuan lëshimin e fundit të raketave nga Koreja e Veriut, duke theksuar nevojën e domosdoshme të bashkëpunimit ndërkombëtar për të intesifikuar sanksionet ndaj Penianit, deri në zbatim të rezolutës së fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Prova më e fundit e Koresë së Veriut ishte lëshimi i raketës mbi pjesën veriore të Japonisë, shkruan BBC.