Kryeministri irakian kërkon pezullimin e referendumit të kurdëve

Bota September 18, 2017 - 17:29

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi ka kërkuar pezullimin e referendumit për pavarësinë e kurdëve. Gjykata Supreme e vendit urdhëroi gjithashtu që votimi të shtyhet derisa të adresohen dyshimet mbi ligjshmërinë e tij.

Pavarësisht kundërshtive globale, qeveria rajonale e Kurdistanit mbështeti votimin e 25 shtatorit. Irani, Turqia, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kombet e Bashkuara kanë qenë zërat më të fuqishëm kundër këtij referendumi.
Ekziston shqetësimi se referendumi do të provokojë destabilitet të mëtejshëm në Irak, e kësisoj do të vështirësojë edhe betejën kundër grupit të Shtetit Islamik.
Vendet fqinje si Irani dhe Turqia, të cilat kanë kurdë në përbërjen e popullsive të tyre, kanë frikë se një votë “pro” pavarësisë do të forconte lëvizjet separatiste në vet këto vende.
Kryetari i kurdëve të Irakut, Massoud Barzani ka këmbëngulur, megjithatë, që votimi të zhvillohet sipas planit. Mbështetës të pavarësisë dolën nëpër rrugët e Irbilit, kryeqyteti i rajonit të Kurdistanit në Irak, kur u mor vendimi gjatë së premtes.
“Kemi pritur më shumë se 100 vite për këtë ditë”, tha Omed Koshnaw, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kurdistanit (KDR), për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Gjithsesi, edhe mes kurdëve irakianë ka përçarje. “Lëvizja për ndryshim”, partia kryesore në opozitë, bojkotoi seancën parlamentare, duke thënë se beson te pavarësia, por refuzon ta mbajë në këtë moment referendumin.
Kurdët janë grupi i katërt etnik në Lindjen e Mesme, por kurrë nuk kanë pasur një shtet-komb të tyrin të pavarur. Në Irak, ku ata përbëjnë rreth 15-20% të popullsisë prej 37 milionë banorësh, kurdët janë përballur prej dekadash me një represion, përpara se të kërkonin autonominë pas Luftës së Gjirit të vitit 1991.