Protesta në St. Louis, dhjetëra të arrestuar

Bota September 18, 2017 - 16:42

Më shumë se 80 persona u arrestuan në qytetin St. Louis në SHBA, gjatë natës së tretë rresht të protestave të dhunshme, pas lirimit nga akuzat të një polici të bardhë që vrau një person me ngjyrë.

Të premten, gjykata në St. Louis pushoi çdo procedim ndaj 36-vjeçarit, Jason Stockley, për vrasjen e Anthony Lamar Smith, i cili u qëllua për vdekje pas një ndjekjeje policiore në vitin 2011.

I menjëhershëm ishte reagimi i mijëra vetëve në qytet, të cilët protestuan edhe dhunshëm kundër këtij vendimi.

Policia e St. Lousit në Missouri tha se protestuesit e dhunshëm përdorën mjetet rrethanore, madje edhe kimikate për të sulmuar agjentët, disa prej të cilëve kanë mbetur të plagosur. Autoritetet thanë se, mes të arrestuarve kishte edhe njerëz të armatosur me armë zjarri.

Kryetari i Bashkisë së qytetit, Lyda Krewson tha se shumica e protestuesve ishin paqësorë dhe thjesht ushtruan të drejtën e tyre, por mes tyre kishte edhe grupe individësh që u cilësuan kriminelë.

Tensioni për shkak të protestave, që duket se do të vazhdojnë, u rrit ndjeshëm në St. Lousi, aq sa bëri të detyrueshëm edhe anulimin e koncerteve të grupit irlandez U2 dhe britanikut Ed Sheeran, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.