Irani pretendon se ka prodhuar 'babanë e të gjitha bombave'

Bota September 18, 2017 - 11:53

Irani ka prodhuar një bombë 10 tonë të krahasueshme në shkallë me "nënën e të gjitha bombave" të Shteteve të Bashkuara, pretendon një komandant i lartë i Gardës së Revolucionit Islamik, i cili ka njoftuar se vendi zotëron tashmë “babanë e të gjitha bombave”.

"Bomba u zhvillua nën një kërkesë të veçantë të Gardës", tha gjenerali Amir Ali Hajizadeh.

 “Ajo mund të hidhet nga avionët  luftarakë dhe mund të shkaktojë shkatërrime në mase,” shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi aftësitë e mjetit luftarak.

“Pas një propozimi të Forcës së Hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare, Industria e Mbrojtjes prodhoi një bombë 10 tonësh. Këto bomba janë në dispozicionin tonë “, deklaroi komandanti.

Komandanti e quajti pajisjen “babai i të gjitha bombave”, duke e krahasuar atë me bombën amerikane “MOAB”, e njohur zakonisht si “nëna e të gjitha bombave”, e cila peshon 9.8 ton.