Britania e Madhe 'do të pendohet' për Brexitin

Bota September 14, 2017 - 08:52

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u përpoq të paraqiste një të ardhme të ndritshme për Bashkimin Evropian pas largimit tëMbretërisë së Bashkuar më 2019-n, por paralajmëroi se Britania e Madhe “do të pendohet” për hapin e ndërmarrë po aq sa edhe BE-ja.

Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar Unionit, Juncker në mënyrë të përsëritur e përdori fjalën "solidaritet" duke folur për Bllokun e duke renditur arritjet e tij ekonomike dhe u shpreh se "era është sërish e favorshme për velat e BE-së".

"29 marsi i 2019-s, kjo është data kur Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Evropian, do të jetë një moment shumë i trishtuar dhe tragjik në historinë tonë. Ne do të ndiejmë gjithmonë keqardhje për këtë dhe mendoj se edhe ju do të pendoheni shumë shpejt për hapin e ndërmarrë", u tha Juncker anëtarëve të Parlamentit Evropian, duke përfshirë arkitektin e Brexit, Nigel Faragen.

"Sidoqoftë, ne duhet të respektojmë vullnetin e popullit britanik, por ne do të bëjmë përparim, do të vazhdojmë të lëvizim, do të vazhdojmë sepse Brexit nuk është gjithçka, nuk është e ardhmja e Evropës. Nuk është e gjitha dhe fundi i të gjithave", transmeton "Zeri.info".

Fjalimi i Junckerit në Strasburg, Francë, vjen pasi udhëheqësit britanikë dhe ata të BE-së janë gati për një rund të katërt të bisedimeve për Brexitin këtë muaj dhe një ditë pasi Britania e Madhe botoi një dokument-ofertë për të kontribuuar në pasuritë ushtarake të BE-së. Mbrojtja është karta më e vlefshme e Britanisë së Madhe në negociatat e Brexitit dhe Londra shpreson se kontributi i saj në këtë fushë do të ofrojë kushte të favorshme tregtare nga BE-ja.

Juncker u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së të paraqesin një vizion të qartë për të ardhmen e saj përpara majit të 2019-s, datë kur mbahen zgjedhjet e Parlamentit Evropian, të mbajtura pak më shumë se një muaj pasi Britania e Madhe kishte planifikuar të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.

Një BE e reformuar

Juncker dha një pasqyrë në vizionin e tij për të ardhmen e BE-së dhe se si ai shpreson t’i mbajë të bashkuara 27 shtetet e tjera anëtare pas një periudhe të trazuar.

Britania votoi për t'u larguar nga BE-ja në qershor të vitit 2016. Në të njëjtën kohë, disa anëtarë të BE-së shprehën pakënaqësi në rritje se si të merren me krizën e emigrantëve, ndërsa partitë euroskeptike të krahut të djathtë në disa shtete anëtare fituan mbështetje.

"Kur unë qëndrova para jush në këtë kohë të vitit të kaluar kisha një fjalim disi më të lehtë për ta mbajtur. Është e qartë për të gjithë që Unioni ynë nuk ishte në një gjendje të mirë. Evropa u godit dhe u keqësua nga diçka, e cila tronditi themelet tona", tha Juncker në vërejtjet e tij të hapjes, përcjell "Zeri.info".

"Ne kishim vetëm dy zgjedhje: ose të bëhemi gati për një agjendë pozitive evropiane, ose çdonjëri të tërhiqet nëpër qoshet e veta. Përballë kësaj zgjedhjeje unë argumentove për unitet".

Juncker dëshiron t’i rritë marrëveshjet tregtare dhe t’i finalizojë ato në pritje deri në fund të vitit 2019, duke thënë se vendet anembanë botës po "trokisnin në derën tonë" për marrëveshje të reja. Ai gjithashtu bëri thirrje për marrëveshje tregtare me Australinë dhe me Zelandën e Re. Pas kritikave të ashpra nga Britania për joefikasitetin në BE, Juncker propozoi që roli i tij si president i Komisionit Evropian të bashkohej me atë të Këshillit Evropian.

Ai përsëriti një thirrje për të krijuar një post për një ministër të financave të Eurozonës, por shtoi se posti mund të plotësohet nga një komisionar ekzistues.

Dhe në përgjigje të dukshme ndaj kritikave se Blloku përqendrohet në çështjet me prioritet të ulët, Juncker paraqiti një komision me një agjendë të zbehtë, duke thënë se propozoi vetëm 25 iniciativa këtë vit nga 100 sosh të prezantuara dy vjet më parë, raporton CNN-ja, transmeton "Zeri.info".

Nuk ka zgjerim të BE-së deri në vitin 2019

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha të mërkurën se qëndrueshmëria në fqinjësinë e Bashkimit Evropian nënkupton mbajtjen hapur të perspektivës së Ballkanit Perëndimor për integrim, por asnjë prej vendeve të rajonit nuk mund t'i bashkohet Bllokut brenda mandatit aktual të Komisionit, që përfundon në vitin 2019.

Ai bëri thirrje për më shumë solidaritet rreth emigrimit sikurse që atyre të cilët nuk i përmbushin kushtet për strehim në BE të kthehen në vendet e tyre. Ai tha se vendet anëtare sa më shpejt duhet t’i shkëmbejnë të dhënat për luftëtarët e huaj dhe të dyshuarit për përfshirje në veprime terroriste.

"Nëse duam më shumë qëndrueshmëri në fqinjësi, atëherë duhet të mbajmë hapur perspektivën e besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor", tha zoti Juncker, duke nënvizuar se qartazi nuk do të ketë zgjerim gjatë mandatit të këtij Komisioni dhe këtij Parlamenti Evropian.

"Asnjë kandidat nuk është gati ende. Por, më pas BE-ja do të jetë më e madhe sesa 27 në numër. Kandidatët për anëtarësim duhet t'u japin përparësi sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore", tha ai.

Kjo, sipas tij, do të thotë që Turqia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt sepse ka bërë hapa të largimit nga Bashkimi Evropian. /ZËRI/