Pas blerjes së sistemit antiraketor nga Rusia, Erdogan sulmon NATO'n

Bota September 13, 2017 - 22:37

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shpërfillur shqetëtsimet e Perëndimit për blerjen e sistemit mbrojtës raketor “S-400” nga Rusia, edhe pse vendi i tij është anëtar i NATO-s.

“Çfarë duhet të bëjmë? T’ju presim juve? Ne po marrim masat tona të sigurisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, ka deklaruar Erdogan.

Presidenti turk njoftoi të shtunën se Turqia kishte nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për blerjen e sistemit “S-400” për një vlerë prej 2.5 miliardë dollarë, me pagesën që tashmë i është bërë Moskës.

Menjëherë pas njoftimit të Erdogan, vendet perëndimore shprehën shqetësimin e tyre për marrëveshjen, duke deklaruar se sistemi “S-400” nuk mund të aderojë në sistemin e armatimeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“I kemi shprehur shqetësimet tona autoriteteve turke. Një sistem raketor ndërveprues i NATO-s është opsioni më i mirë për Turqinë që të mbrohet nga kërcënimet e ndryshme që ekzistojnë në rajon”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Johnny Michael.

Ajo çfarë ka rëndësi për NATO-n, vijoi ai, është që pajisjet ushtarake të blera nga vendet anëtare të mund të ndërveprojnë me njëra-tjetrën gjatë operacioneve të përbashkëta, përcjell TCh.

Më herët, në muajin prill, zyrtarë të lartë turq kishin deklaruar se, vendet e NATO-s nuk kishin paraqitur një “ofertë financiare efikase” për sisteme mbrojtëse alternative.