Mbreti dhe kryeministri spanjoll kritikojnë referendumin katalanas

Bota September 13, 2017 - 17:32

Mbreti spanjoll Felipe VI sot komentoi mbi qëllimin e autoriteteve katalane për të mbajtur një referendum mbi pavarësinë e rajonit spanjoll, duke thënë se qytetarët duhet të respektojnë Kushtetutën e vendit, e cila ndalon shkëputjen e pjesëve të saj.

Felipe VI, në ceremoninë e dhënies së çmimeve në kulturë, tha se kushtetuta do të "mbizotërojë" mbi çdo përpjekje për të coptuar Spanjën.

Ai tha se të drejtat e të gjithë spanjollëve do të mbrohen nga "kushdo që shkel kushtetutën", transmeton zeri.info

Qeveria spanjolle është duke u përpjekur me anë të gjykatave për të parandaluar referendum për pavarësinë e Katalonjës, të planifikuar për 1 tetor, ndërsa kryeministri spanjoll Mariano Rajoy i bëri thirrje qytetarëve të Katalonjës të abstenojnë nga referendumi të cilin ai tha se është antikushtetues.

"Nëse dikush ju bën thirrje të shkoni në votime, mos shkoni sepse referendumi nuk mund të mbahet, do të ishte një veprim krejtësisht i paligjshëm", tha Rajoy./Zeri