Trump pyetet nga gazetari nëse do të sulmojë Korenë e Veriut, kjo është përgjigjja e tij

Bota September 03, 2017 - 18:52

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është pyetur nga një gazetar i Reuters teksa po dilte nga një kishë në SHBA nëse do ta sulmojë Korenë Veriore pas testit bërthamor që kreu sot.

Përgjigja e liderit amerikan ka qenë e shkurtër: “Do ta shohim,” transmeton Express.

Steve Holland, gazetari i Reuters, i cili i mbulon ngjarjet politike dhe Shtëpinë e Bardhë në SHBA, ka shkruar në llogarinë e vet në Twitter për pyetjen që ia ka bërë Trumpit dhe për përgjigjen që ka marrë.

“Trump u pyet ‘A do ta sulmosh Korenë Veriore?’, ‘Do ta shohim’, u përgjigj ai teksa doli nga kisha”, ka shkruar Holland.

Ndërkohë, Trump tha sot më herët se veprimet dhe fjalët e Koresë Veriore vazhdojnë të jenë shumë të rrezikshme ndaj Shteteve të Bashkuara, transmeto Express.

“Koreja Veriore e ka kryer një testim të madh bërthamor. Fjalët dhe veprimet e tyre vazhdojnë të jenë shumë armiqësore dhe të rrezikshme për SHBA-në,” ka shkruar Trump në llogarinë e vet në Twitter.

Koreja Veriore e shpërtheu sot bombë hidrogjenike duke i përshkallëzuar edhe më tutje tensionet në gadishullin korean dhe duke nxitur reagime të ashpra nga fuqitë botërore, të cilat e kanë dënuar këtë akt.