Diplomati rus i sanksionuar nga BE-ja emërohet ambasador në SHBA

Bota August 21, 2017 - 18:20

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka emëruar sot, Anatoly Antonov, për ambasador të Rusisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Antonov njihet si diplomat vetran, i cili aktualisht është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian për rolin e tij në ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë.

Antonov, 62 vjeçar, që ka shërbyer në ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes, është emëruar sot në këtë pozitë, pas një njoftimi të paraqitur në faqen e internetit të Kremlinit.

Në shkurt të vitit 2015, Bashkimi Evropian e ka shtuar në listën e personave të sanksionuar, pasi Moska ka aneksuar Krimenë dhe ka mbështetur separatistë të armatosur në lindje të Ukrainës.

Kanada dhe Ukraina po ashtu i kanë vënë sanksione Antonovit.

Më shumë se 10,000 persona kanë vdekur nga fillimi i konfliktit më 2014, në mes të forcave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve prorusë, të cilët kontrollojnë dy provinca në lindje të Ukrainës.

Antonov do të zëvendësojë Sergei Kislyak, i cili ka qenë ambsador i Rusisë në Uashington nga viti 2008./Rel/