Meshë për viktimat e terrorit në Barcelonë

Bota August 20, 2017 - 14:05

Spanja vajton për 14 viktimat e sulmeve në Katalunjë përmes një meshe në të famshmen Sagrada Familia në Barcelonë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin familja mbretërore dhe kryeministri i vendit Mariano Rajoy, ndërkohë që e gjithë mesha u shoqërua me masa të larta të sigurisë.

Sipas disa raportimeve në mediat spanjolle, celula xhihadiste përgjegjëse për sulmet në Katalunjë, kishte në shënjestër të saj pikërisht kishën e famshme, ku do të kryente një sulm me eksplozivë.

Ndërkohë policia  e Katalunjë vijon kërkimet për 22 vjeçarin maroken i dyshuar si shoferi i furgonit që përplasi për vdekje 14 persona ndërsa 100 të tjerë u plagosën në zonën Las Ramblas. Ai dyshohet se është fshehur në veri të Francës.