Florida: Policët qëllohen me armë në dy incidente të ndryshme

Bota August 19, 2017 - 18:41

Katër oficerë policie u qëlluan me armë zjarri në dy incidente të ndryshme në Florida në orët e vona të ditës së premte.

Një oficer vdiq nga plagosjet dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike për jetën.

Dy policë në Kissimmee të Floridas, po i përgjigjeshin një njoftimi të disa personave të dyshimtë pak para orës 21:30 të premten, tha shefi i policisë së Kissimmee, Jeff O'Dell në një konferencë shtypi të shtunën herët. O’Dell njoftoi se oficeri Matthew Baxter humbi jetën për shkak të plagëve, dhe rreshteri Sam Howard është në gjendje kritike. 

Sipas faqes së Twitter-it të policisë së Kissimmee, shefi O’Dell tha se incidenti duket se ka qenë pritë. 

Tre të dyshuar janë në arrest dhe një i katërt po kërkohet nga policia.

Ndërsa në Jacksonville të Floridas, rreth 240 kilometra në veri të Kissimmee, dy oficerë u qëlluan, duke iu përgjigjur një thirrjeje për ndihmë.

Njëri prej tyre është në gjendje kritike dhe tjetri është në gjendje të qëndrueshme. Policia ka qëlluar dhe vrarë të dyshuarin per incidentin.