Sulmi në Barcelonë: Vozitësi i furgonit, ende në arrati

Bota August 17, 2017 - 23:55

Asnjëri prej dy personave të arrestuar si të dyshuar për lidhje me sulmin në Barcelonë sot nuk ka qenë vozitës i furgonit që është përplasur me këmbësorë, ka bërë të ditur Policia.

Josep Lluis Trapero, zyrtar i lartë i Policisë, ka thënë se dy të dyshuarit që po mbahen në arrest janë të lidhur drejtpërdrejt me sulmin, "por kjo nuk do të thotë se njëri prej tyre ka qenë autor i sulmit".

Tash për tash nuk dihet vendndodhja e vozitësit të furgonit, që u shfrytëzua për të kryer sulmin e përgjakshëm, që i ka marrë jetën 13 personave, dhe që ka lënë të lënduar dhjetëra të tjerë.

Dy të dyshuarit e arrestuar janë një shtetas spanjoll nga Melilla dhe një maroken.

Grupi terrorist Shteti Islamik (ISIS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të kryer sot.

Agjencia e lajmeve e ISIS'it, Aamaq, ka raportuar se grupi famëkeq qëndron prapa sulmit që përgjaku Barcelonën.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasdite në Las Ramblas, njërin prej rajoneve më të frekuentuara në qendër të qytetit. /Express/