Parandalohet një sulm terrorist në Moskë

Bota August 14, 2017 - 23:01

Autoritetet ruse kanë parandaluar një sulm terrorist në Moskë, që mund të kishte një bilanc tragjik. Në pranga ranë 4 të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik që po planifikonin të kryenin shpërthime në sistemin e metrosë në kryeqytetin rus.

Mund të kishte qenë një sulm terrorist i përmasave të mëdha dhe me shumë viktima. Por agjentët e Shërbimit rus të Sigurisë arritën ta parandalojnë, duke vënë në pranga 4 terroristë të lidhur me Shtetin Islamik.

Ata kishin në plan të kryenin një seri shpërthimesh në mjedise publike tepër të populluara.

Në shënjestër kishin në veçanti sistemin e metrosë së Moskës. Por agjentët e shërbimit rus të zbulimit ranë në gjurmë të tyre dhe ndërmorën një operacion, në një banesë në lagjet periferike të kryeqytetit rus.

Në banesën, që ata e përdornin si bazë për përgatitjen e sulmeve, u zbulua një laborator, ku prodhonin bomba.

Gati për ta përdorur kishin atë që ata e quanin "Nëna e djallit" një material shpërthyes tepër i fuqishëm, me bazë peroksidin.

Bomba të ngjashme janë përdorur edhe në sulmet terroriste të viteve të fundit nëpër Europë, si Mançester, Paris e Bruksel.

Në banesën e tyre u zbuluan gjithashtu edhe armë të llojeve të ndryshme, mes të cilave Kallashnikovë e sasi të konsiderueshme municioni.

Dyshohet se udhëzimet i merrnin nga krerët e organizatës terroriste Shteti Islamik në Siri. Edhe vetë ata i kishin vizituar vitet e fundit territoret e xhihadistëve në këtë vend.

Xhihadistët e rikthyer janë shndërruar në një kërcënim serioz për sigurinë publike në Rusi. Militantët islamikë janë shkaktarë të disa sulmeve vdekjeprurëse kohët e fundit në Rusi, mes të cilëve edhe ai 3 prillit në metronë e Shën Pjetërburgut, ku humbën jetën 15 persona dhe u plagosën mbi 45 të tjerë.