SHBA, miratohen ndëshkimet kundër Moskës

Bota July 27, 2017 - 08:36

Sanksionet e reja që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar bëjnë një hap me rëndësi të martën në mbrëmje: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që zgjeron kontrollin e Kongresit mbi sanksionet dhe nuk lejon presidentin Donald Trump t’i zbutë ato.

Pas më shumë se një muaj bisedimesh mes dy partive dhe vonesave procedurale, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në projektligj masa të reja që i japin asaj të drejtën për mbikëqyrjen e sanksioneve.

Një version më i hershëm i projektligjit u miratua me shumicë dërrmuese nga Senati në qershor me rezultatin 97 vota pro dhe 2 kundër.

Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me 419 vota pro dhe 3 kundër përfshin edhe sanksione kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, përveç atyre që ndëshkojnë Rusinë për një sërë aktivitetesh.

"Këto tri regjime në pjesë të ndryshme të botës po kërcënojnë interesat jetike të SHBA-së dhe po destabilizojnë fqinjët", tha të martën kongresisti republikan i Kalifornisë, Ed Royce.

Miratimi i Kongresit

Zoti Royce tha se projektligji garanton lënien në fuqi të sanksioneve të ashpra ekonomike dhe diplomatike, duke i dhënë fuqi Kongresit për të mos miratuar lehtësimin e sanksioneve.

"Nëse presidenti Trump dëshiron të luajë golf apo të bëjë diçka me shokun e tij, zotin Putin, ai nuk duhet të llogarisë mbështetjen e Kongresit, sepse ne do ta ndëshkojmë z. Putin", tha zëvendëskryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve Eliot Engel.

Marrëveshja dypartiake për t’i kufizuar kompetencat e presidentit lidhur me sanksionet vjen në klimën e hetimeve të Kongresit rreth lidhjeve të dyshuara mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

"Ky është një kufi i rëndësishëm që i vihet presidentit Trump, sepse asnjë president nuk dëshiron të humbasë aftësinë për t’i hequr sanksionet", tha për “Zërin e Amerikës” William Pomeranz, zëvendësdrejtor i Institutit Kennan në qendrën “Wilson”. "Është diçka shumë e rrallë në fakt që Kongresi po e afirmon këtë të drejtë, pra për të kontrolluar vetë Ligjin mbi Sanksionet. Por qartazi ai e bëri në këtë rast, edhe pse kjo mund të ketë një seri pasojash politike".

Përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë

Administrata e presidentit Trump tani po i mbështet sanksionet edhe pse nuk ishte dakord me ndryshimet.

Në javët përpara votimit Shtëpia e Bardhë i kundërshtoi përpjekjet për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për zbutjen e sanksioneve. Arsyeja e dhënë prej saj ishte se kjo do t’i kufizonte përpjekjet amerikane për të ndikuar te sjellja e Rusisë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me zotin Putin.

Nëse miratohet përfundimisht ligji do t'i jepte Kongresit një procedurë të shpejtë për të shfuqizuar çdo hap që mund të ndërmarrë presidenti për t'u dhënë fund sanksioneve.

"Presidenti i mbështet shumë sanksionet ndaj atyre vendeve dhe dëshiron që këto sanksione të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë dëshiron që ne të mundnim të arrijmë marrëveshje të favorshme. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për presidentin", tha zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, për gazetarët.

Nëse zoti Trump i vë veton projektligjit, ai me siguri do të përballej me kundërshtime në Kongres, i cili ka vota të mjaftueshme për ta kapërcyer veton. Gjithashtu, kjo do t’i bënte të pamundura sanksionet kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat administrata e tij i mbështet.

Ndryshimet në versionet e Dhomës dhe të Senatit do të duhet të harmonizohen përpara se të dërgohen në tryezën e presidentit për t’u nënshkruar në ligj.

Kongresisti Engel i tha “Zërit të Amerikës” se shpreson që Senati të mundë t'i zgjidhë këto çështje përpara se ligjvënësit e Dhomës të largohen për pushimet e gushtit, raporton VOA-ja.

Kongresi miraton ndryshimin e “Obamacare”-it

Me vështirësi republikanët arritën një shumicë prej 51 votash në Senat për përmirësimin e sistemit aktual të kujdesit shëndetësor, të miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Barak Obama.

Pavarësisht se republikanët në Senat kanë një shumicë prej 52 votash, dy prej senatorëve të tyre u bashkuan me votat kundër të demokratëve. Rol vendimtar luajti vota e zv/presidentit Majk Pens, i cili mban njëherësh edhe rolin e kreut të Senatit. I pranishëm në votim ishte edhe Xhon mungesa e të cilit për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale në tru bëri të dështonin votimet e fundit për të njëjtën çështje.

Por analistët thonë se republikanët e presidentit Trump, që kërkojnë zëvendësimin e reformës shëndetësore "Obamacare", ende nuk i kanë gati ndryshimet që do t’i propozojnë.

Ndaj dhe procesi i përmirësimit të Ligjit për një Shëndetësi të Përballueshme, që u jepte qasje në sistemin shëndetësor mbi 20 milionë amerikanëve në gjendje jo të mirë ekonomike pritet të kalojë në një rrugë të gjatë dhe të vështirë.