Domethënia e 'Perëndimit' nga Reagani te Trumpi

Bota July 22, 2017 - 08:44

Tridhjetë e pesë vjet më parë Ronald Reagani i është drejtuar Parlamentit britanik.

Ndihej shumë rehat si në shtëpinë e tij në Uestminster, e filloi fjalën e tij ai, sepse është “një nga faltoret e demokracisë”. Ai shtoi se “këtu janë debatuar dhe janë rafinuar të drejtat e njerëzve të lirë, si edhe proceset e përfaqësimit”.

Këto fjalë hapjeje ishin më shumë se rutinë diplomatike.

Demokracia ishte zemra e fjalimit, një nga më të spikaturit që Reagani ka mbajtur ndonjëherë. Me gjithë forcën e dukshme të armiqve të demokracisë, këmbënguli ai, “optimizmi është në rend të ditës”, sepse “regjimet e mbjella me bajoneta nuk zënë rrënjë”, transmeton "Zeri.info".

Një revolucion demokratik po fiton vrull, vëzhgoi Reagani. Por edhe pse “demokracia nuk është një lule e brishtë… ajo ka nevojë për kultivim”. Perëndimi duhet të veprojë për të ndihmuar “fushatën për demokraci”.

Trump i është drejtuar një turme në Varshavë

Reagani i sqaroi elementet e kësaj fushate: ngritja e “infrastrukturës së demokracisë, sistemi i një shtypi të lirë, sindikatat, partitë politike, universitetet, që i mundësojnë një populli të zgjedhë rrugën e vet”.

Për ata që kundërshtonin promovimin e demokracisë si “imperializëm kulturor”, ai kishte një përgjigje të drejtpërdrejtë: Ajo “siguron mjetet për vetëvendosje të vërtetë dhe mbrojtje të diversitetit”. Në të vërtetë, “do të ishte përbuzje kulturore, ose më keq, të thoshe se çdo popull preferon diktaturën në vend të demokracisë”.

Duke vënë në dukje se vendet e Evropës Perëndimore ishin tashmë të angazhuar në këtë përpjekje, Reagani premtoi t’i mobilizonte udhëheqësit e SHBA-së, nga të dyja partitë, për t’u bashkuar dhe për ta forcuar atë.

“Është koha që ne të përkushtohemi si komb si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat për të ndihmuar zhvillimin demokratik”, deklaroi ai dhe vazhdoi të parashtrojë se si kishte ndërmend ta bënte këtë. “Le ta pyesim veten: ‘Çfarë lloj njerëzish mendojmë që jemi?’”- përfundoi ai. “Le të përgjigjemi: ‘Njerëz të lirë, të denjë për liri dhe të vendosur jo vetëm të mbetemi kështu, por edhe t’i ndihmojnë të tjerët të fitojnë lirinë e tyre”.

Në fillim të fjalës së tij Reagani vërejti se Polonia ishte “në qendër të qytetërimit evropian” dhe po kontribuonte në këtë qytetërim, teksa ai fliste, duke i rezistuar shtypjes. Polonia rezistoi për të rifituar pavarësinë e vet kombëtare, por gjithashtu “për të siguruar të drejtat themelore, që shpesh i marrim si të mirëqena”.

“Lufta për të qenë Poloni”, ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me luftën për demokraci, përcjell "Zeri.info".

Tridhjetë e pesë vjet më vonë presidenti aktual i SHBA-së i është drejtuar një turme në Varshavë.

Në fjalimin e tij Donald Trump mezi e përmendi demokracinë. Në vend të kësaj ai foli për “vullnetin për të mbrojtur qytetërimin tonë”.

“Ne duam Perëndinë”

Megjithëse nuk ofroi një përkufizim të qartë të këtij qytetërimi, u shfaq gjithsesi thelbi se si e kupton ai këtë qytetërim.

Qytetërimi ynë mbështetet në lidhjet e “historisë, kulturës dhe kujtesës”. Kjo e vendos “besimin dhe familjen” në qendër të jetës sonë. Më së miri kjo gjë përmblidhet në fjalët që një milion polakë brohorisnin gjatë predikimit në Varshavë të Papës Gjon Pali II, në vitin 1979: “Ne duam Perëndinë”.

Ky është thelbi i çështjes, tha Trump: “Populli i Polonisë, populli i Amerikës dhe populli i Evropës ende thërrasin ‘Ne duam Perëndinë’”.

Ndonëse kjo mund të jetë e vërtetë për kombin më të devotshëm katolik në Evropë, do të ishte një surprizë për shumicën e evropianëve të tjerë. Është një interpretim i natyrshëm – ndoshta-ndoshta i qëllimshëm – i asaj që ne supozohet të ndajmë me njëri-tjetrin, si pjesëtarë të qytetërimit perëndimor. Liria e fesë, e drejta e secilit për të adhuruar ose jo, në mënyrën e vet, do të kishte qenë një mënyrë më e saktë për ta parashtruar.

Edhe më bashkuese. Nëse donte të thoshte këtë gjë Trump duhej ta kishte shprehur në këtë mënyrë. Në fund të fundit, ai është presidenti i një vendi të dedikuar si askush tjetër, parimit të lirisë fetare, transmeton "Zeri.info".

Por, nëse do ta kishte përshkruar ashtu, turma mund të mos kishte thirrur emrin e tij.

Ata me siguri nuk do ta kishin bërë nëse Trump do të kishte pasur guximin të thoshte atë që shumë polakë dhe shumica e evropianëve e dinë – se së bashku me Viktor Orbánin e Hungarisë qeveria aktuale polake është kërcënimi kryesor në Evropë ndaj demokracisë liberale.

Nuk ka prova që Donald Trumpit i bëhet shumë vonë për demokracinë, në një mënyrë apo në tjetër.

Ai vazhdimisht i vlerëson autokratët si liderë të fortë dhe fajëson udhëheqësit demokratë për politika, të cilat nuk i pëlqejnë. Nëse do të kishte lindur në një autokraci, ai nuk do të kishte qenë disident.

Nëse Ronald Reaganit do t’i ishte kërkuar të përcaktonte frazën “Amerika e para”, reagimi i tij fillestar ndoshta do të kishte qenë: Ata ishin njerëzit shumë miopë, për të parë përse SHBA-ja duhej t’i kundërvihej fashizmit dhe nazizmit.

Po ta gjykosh nga fjalimi i tij në Uestminster, përgjigjja më e thellë do të kishte qenë se, Amerika vendos veten të parën, kur është e sinqertë me veten.

Dhe të jetë e sinqertë me veten do të thotë të kuptojmë se parimet tona kushtetuese gjejnë zbatim edhe përtej kufijve tanë.

Indiferenca ndaj vetëvendosjes demokratike për popujt e tjerë nuk po e vendos Amerikën të parën; është një tradhëti ndaj asaj që ne jemi. /The Wall Street Journal/. /ZËRI/