100 të vdekur në protestat e opozitës në Venezuelë

Bota July 21, 2017 - 22:34

Në protestat e opozitës kundër presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, kanë mbetur të vdekur 100 protestues që prej fillimit të muajit prill, njoftoi sot prokuroria.

Personi i 100-të i vdekur është një i ri 15 vjeç i cili u vra dje gjatë një manifestimi në shtetin Zulia, raporton AFP.

Opozita po proteston thuajse në mënyrë të përditshme në rrugët e vendit prej gati tre muaj e gjysmë për të denoncuar qeverisjen e Maduros, që ajo e cilëson të dështuar, dhe kërkon zgjedhje të parakohshme presidenciale. Manifestimet shpeshherë janë shoqëruar me konfrontime fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Kërkesa për grevë të përgjithshme ishte një thirrje e opozitës për të ndalur projektin e kreut të shtetit që të thërrasë një Asamble kushtetuese.