Presidenti Trump, sërish akuza ndaj Obamës

Bota June 28, 2017 - 17:51

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se, paraardhësi i tij Barack Obama nuk reagoi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi ai mendonte se kandidatja demokrate Hillary Clinton do të dilte fituese.

Gushtin e kaluar, 3 muaj përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit, Agjencia Qendrore e Zbulimit “CIA”, arriti në përfundimin se numri një i Kremlinit, Vladimir Putin kishte urdhëruar drejtpërsëdrejti një fushatë kibernetike për të diskredituar zgjedhjet presidenciale amerikane, për të dëmtuar fushatën e zonjës Clinton dhe për të ndihmuar fitoren e zotit Trump.

Ish-presidenti Obama, sipas një artikulli të publikuar javën e kaluar të gazetës “Washington Post”, reflektoi me javë të tëra sesi duhej të vepronte. Por, ai nuk ndërmori ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë deri para fundit të dhjetorit, disa javë pasi zoti Trump kishte fituar zgjedhjet.

Të hënën, në një seri komentesh në Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruante:

“Arsyeja që presidenti Obama nuk bëri asgjë për Rusinë, pasi u njoftua nga CIA për ndërhyrjen, është se ai priste që Clinton të fitonte dhe nuk donte të ‘trazonte ujërat’”.

Trump shkruante gjithashtu se, pas 4 muaj hetimesh me xham zmadhues për Rusinë, ata nuk kanë asnjë dëshmi për ndonjë bashkëpunim të njerëzve të fushatës së tij me Rusinë. “Nuk ka as bashkëpunim dhe as pengim të hetimeve. Ata duhet të më kërkojnë falje”, pohon kreu i Shtëpisë së Bardhë. /TopChannel/