Venezuelë, helikopteri bombardon gjykatën supreme

Bota June 28, 2017 - 12:28

Gjykata e Lartë e Venezuelës është sulmuar me granata të lëshuara nga një helikopter, episod ky që e shtyu presidentin Nicolas Maduro të flasë për “sulm terrorist”.

Oficeri i policisë, i cili pilotonte mjetin e vjedhur fluturues, lëshoi një deklaratë ku denoncohej ajo që ai e quan “një qeveri kriminale”.

Maduro përballet prej muajsh me protesta masive, mes krizës politike dhe asaj ekonomike që kanë pllakosur vendin, e Gjykata e Lartë është institucioni i kritikuar rregullisht nga opozita se, me vendimet e saj e forcon kapjen e tij të pushtetit.

Sipas zyrtarëve vendas, mbi gjykatë janë hedhur 4 granata e ka pasur edhe 15 të shtëna në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Nuk ka raporte për të plagosur, por Maduro pretendon se në ambientet e Gjykatës së Lartë po zhvillohej një “aktivitet social”, e thotë se sulmi mund të ketë shkaktuar me dhjetëra të vdekur.