Koalicioni i panatyrshëm i Theresa Mayt

Bota June 28, 2017 - 08:45

Në thelb krijimi i një qeverie koalicioni në Londër nuk duhej të shkaktonte irritim të madh, tek e fundit edhe në Holandë po konstruktohet një aleancë prej pesë partish.

E në sistemin bipolar britanik një ndryshim i vogël mund të jetë i dobishëm, për më tepër që nën David Cameronin ka pasur një koalicion mes konservatorëve dhe liberalëve. Tani janë Toriet ata që për mungesë të shumicës u duhet të bashkëpunojnë me një parti tjetër të vogël. Por DUP-i (Partia Unioniste Demokratike) nuk është një grupim si gjithë të tjerët. Çmimi politik, të cilin duhet ta paguajë Theresa May, mund të jetë mjaft i lartë.

Një krijues i dyshimtë mazhorance

DUP-i është një parti rajonale, e cila synon vetëm pushtetin në Irlandën e Veriut. Ajo është ekstremisht konservatore në politikën shoqërore, lufton çiftet brenda të njëjtit seks, pengon liberalizimin e abortit dhe më shumë duket si një relikt nga shekulli i 19-ë.

Përveç kësaj, partia është rigorozisht protestante, gjë që krijon probleme në Britaninë e Madhe. Kritikët i quajnë nacionalistët Ulsterë sektarë. E prej kohësh DUP-in e akuzojnë që të paktën në kohën e brezit të themeluesve të saj ka pasur ekstremistë dhe lidhje me grupet e terrorit.

Me këtë grupim një qeveri në pushtet në Londër nuk do të duhej të shtrihej në shtratin politik. Në radhë të parë, me të mund të rrezikohet e ardhmja e marrëveshjes së të Premtes së Pashkës në Irlandën e Veriut: Në Stormont Castle aktualisht nuk ka qeveri. Ndarja e pushtetit, për të cilën është rënë dakord mes Sinn Fein, partisë katoliko-irlandeze dhe unionistëve, që luftojnë për aleancën me Britaninë e Madhe, ka dështuar.

Londra këtu duhet të jetë në fakt neutrale dhe nuk duhet ta favorizojë asnjërën palë. Por pikërisht këtë po bën tani Theresa May në mënyrë  të dukshme, sepse ajo i ka premtuar DUP-it, për mbështetjen që po i jep asaj, një miliard mbështetje për buxhetin si dhe i ka bërë lëshime të tjera lidhur me shpenzimet. Kjo prishje ekuilibri mund ta shpërthejë situatën delikate në Belfast.

Mbështetje për Brexit-in?

Kryeministrja britanike ka nevojë për mbështetjen e DUP-it në radhë të parë për ta kaluar në parlament legjislacionin e nevojshëm për Brexit-in. Pa zërat e irlandezo-veriorëve ajo nuk ka shans ta arrijë këtë.

Megjithatë, faktikisht do të mjaftonte, nëse shtatë tori do ta ndryshonin kahun në votim, për ta shembur këtë konstrukt të lëkundshëm. Nëse një grup i vogël proevropianësh, p.sh. do ta refuzonin votën në procesin e ndërlikuar të këtij legjislacioni, përmes të cilit fillimisht duhet kodifikuar e drejta e BE-së, e pastaj gradualisht duhet shfuqizuar, Theresa May mund të detyrohej ta jepte dorëheqjen.

DUP-i në parim është për një Brexit radikal ndaj ajo mund ta mbështesë Theresa Mayn. Por faktikisht ajo ia kufizon kryeministres hapësirën e veprimit, sepse irlandezo-veriorët duan detyrimisht t'i mbajnë të hapura kufijtë me Irlandën. Por të dyja nuk shkojnë, në këtë pikë duhen bërë kompromise. Hapësira e veprimit për Mayn në bisedimet për Brexit-in në Bruksel këtej e tutje do të varet nga qëndrimi dhe interesat e DUP-it.

Një qeveri e fortë dhe e qëndrueshme?

Si miqtë, edhe armiqtë në Londër aktualisht e konsiderojnë si mjaft të kufizuar kohën politike të Theresa Mayt. Disa madje parashikojnë një ndryshim qysh në shtator, ndërsa të tjerë disa muaj më vonë. Kushdo që ta pasojë atë, do ta trashëgojë edhe lidhjen e dyshimtë me DUP-in.

Kjo aleancë më bazë të lëkundur do të thotë se në Londër nuk ka një shumicë solide për ta negociuar një marrëveshje të arsyeshme për Brexit-in. Veçanërisht kompromiset e arsyeshme ekonomike dhe politike do të jenë të vështira, sepse anëtarët e DUP-it janë fundamentalistë.

Kjo nuk është qeveria e fortë dhe e qëndrueshme, për të cilën ëndërronte në fushatën elektorale Theresa May.

Kjo është më tepër një qeveri e dobët dhe e lëkundshme. Në fund prej kaosit në qeveri mund të përfitojnë kundërshtarët e Brexit-it.

Nga kaosi në qeveri mund të hapen portat, që konsideroheshin deri tani të mbyllura. Në Londër hë për hë janë sërish të shtruara në tryezë të gjitha opsionet. /DW/