SHBA-ja intensifikon luftën ndaj bandës famëkeqe 'MS-13'

Bota June 27, 2017 - 08:48

Administrata Trump po intensifikon luftën ndaj “MS-13”-shit, një bandë famëkeqe me rrënjë në El Salvador.

Megjithatë ka shqetësime se mund të përdoret çështja e dhunës nga bandat si pretekst për të goditur emigracionin e paligjshëm që shfrytëzohet prej këtyre bandave.

Një valë e re arrestimesh në masë të anëtarëve të bandës “MS-13” po zhvillohet si pjesë e luftës së shtuar të administratës Trump kundër bandës famëkeqe, të njohur prej viktimave të saj të shumta.

Presidenti Trump fajëson politikat e emigracionit të paraardhësit të tij që lejuan bandën, me rrënjë në Amerikën Qendrore, të lulëzojë në SHBA. Presidenti Trump u zotua ta shkatërrojë.

“Shumë shpejt ‘MS-13’-shi nuk do të ekzistojë më në rrugët tona”, tha presidenti Trump.

Por, pavarësisht një suksesi rishtazi të agjencive ligjzbatuese, kryeprokurori i përgjithshëm Jeff Sessions thotë se banda ripërtërin radhët e saj duke rekrutuar të rinj të tjerë nga vende si Honduras, Guatemala dhe El Salvador.

“Do t’i sigurojmë kufijtë tanë, do të shtojmë zbatimin e ligjit duke ua prerë kështu burimet e ripërtëritjes”, tha kryeprokurori Sessions.

Por, a mund të mjaftojë ndalimi i fluksit për reduktuar një grupim që ushtron zhvatje dhe trafik drogash?

Alex Nowrasteh është studiues për emigracionin në Institutin “Cato” në Uashington.

“Është vërtet burimi i rekrutimit, por këto banda nuk do të ekzistonin dot nëse nuk do të kishin një rrjedhë të vazhdueshme të ardhurash që kryesisht u vijnë nga drogat”, thotë Alex Nowrasteh, transmeton "Zeri.info".

Që nga viti 2012 njësitë e Patrullës Kufitare kanë ndaluar përgjatë kufirit jugperëndimor një çerek milioni të mitur nga Amerika Qendrore, por vetëm 160 prej tyre u identifikuan si anëtarë bandash.

Sipas Agjencisë së Emigracionit, gjatë arrestimeve të fundit të anëtarëve të bandës në disa qytete kryesore shumica e të ndaluarve rezultuan shtetas amerikanë.

Megjithatë, republikanët në Kongres shqetësohen se të miturit bëhen pre e lehtë për t’u rekrutuar.

“Statusi i tyre ilegal dhe prejardhja nga Amerika Qendrore i shndërrojnë në objektiva të rekrutimit nga ‘MS-13’-shi”, thotë senatori republikan Chuck Grassley.

Megjithëse, 90% e anëtarëve të bandës “MS-13” janë emigrantë të paligjshëm, zoti Nowrasteh thotë se nuk ka fakte që justifikojnë krahasimin e emigrantëve me elementin kriminal.

“Të dhënat janë të qarta se emigrantët, qofshin të ligjshëm apo të paligjshëm, kanë më pak gjasa të kryejnë krime të dhunshme ose ndaj pronës sesa amerikanët e lindur në SHBA”, thotë ai.

Megjithëse administrata nuk ka filluar të kthejë pas të miturit që vijnë në kufi nga Amerika Qendrore, qëndrimi i saj i ashpër ndaj emigracionit ka efekte të thella. Në muajin maj Patrulla e Kufirit regjistroi një rënie prej 73% të të miturve të pashoqëruar që hyjnë në SHBA.

Si u formua “MS-13”-shi?

“La Mara Salvatrucha”, e njohur si “MS-13”, është banda më vrasëse dhe kriminale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë.

E krijuar në Kaliforni kjo bandë kriminale ka më shumë 6 mijë anëtarë në SHBA dhe mbi 30 mijë nëpër botë.

Pjesëtarët e kësaj bande janë dënuar për shumë vepra kriminale (trafikim droge, trafikim me armë, vjedhje makinash, vrasje me pagesë, trafikim me qenie njerëzore dhe sulme të organizuara më së shumti në organet e drejtësisë).

Për këtë shkak kjo bandë kriminale tash e një kohë të gjatë është nën vëzhgim të FB-së (Shërbimi Federal për Hetime), i cili për luftë kundër kësaj bande ka formuar njësitin special në vitin 2014.

Emigrantët nga Salvadori gjatë luftës qytetare në vendin e tyre kanë gjetur strehim në SHBA, saktësisht në Los Angeles, ku edhe u krijua “MS-13”-shi. Gjatë viteve në këtë bandë janë pranuar anëtarë nga Hondurasi, Guatemala, Meksika dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore, përcjell "Zeri.info".

Anëtarët e kësaj bande shpesh mbajnë tatuazhe dhe në rroba me numrin 13, që është edhe shenjë mbrojtëse e kësaj bande.

Banda është rritur duke aplikuar rekrutimin agresiv të anëtarëve dhe bashkimin me grupet rivale.

Para katër vjetësh “MS-13”-shi doli e para dhe aktualisht e vetmja bandë rrugësh, të cilën qeveria amerikane e ka klasifikuar “organizatë kriminale transnacionale”. Vetëm në SHBA “MS-13”-shi ka rreth 6000 anëtarë, kurse në mbarë botën rreth 30 mijë.

Në betejat me bandat rivale nuk kanë mëshirë dhe shfrytëzojnë të gjitha llojet e armatimit, nga shpatat deri te armët më të sofistikuara të zjarrit.

Në Nju-Jork disa anëtarë të bandës janë dënuar për vrasjen e shtatë personave, duke përfshirë edhe dy adoleshentë, të cilët janë mbytur me shkopinj bejsbolli.

Në Hjuston dy anëtarë të “MS-13”-shit kidnapuan një vajzë dhe e mbytën atë sipas ritualit satanik. Kur u nxorën para gjyqit për veprën e kryer ata të hareshëm përshëndetnin me duar kamerat që po përcillnin gjykimin.

Shumica e anëtarëve janë tinejxherë, kurse shërbimet e tyre i shfrytëzojnë edhe kartelat e drogës.

SHBA-ja gjatë viteve ka depërtuar shumë anëtarë të “MS-13”-shit, por në këtë mënyrë sikur kanë zgjeruar rrjetin ndërkombëtar të këtij grupi kriminal.