Hidhet në erë xhamia Grand Al-Nuri në Mosul

Bota June 22, 2017 - 11:27

Ministria e Mbrojtjes e Irakut lajmëroi se militantët e Shtetit Islamik kanë hedhur në erë xhaminë Grand Al-Nuri në Mosul dhe minaren e saj të veçantë. Xhamia është ndërtuar në vitin 1172. Minarja e saj është njohur si Al-Hadba, ose “gungë”, pasi është anuar në njërin kah, si Kulla e Pizës në Itali.

Udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi, është shfaqur në xhaminë Grand al-Nuri në korrik të vitit 2014, për të shpallur formimin e kalifatit islamik. Shteti Islamik, përmes faqes së tij në internet, thotë se xhamia është shkatërruar nga një sulm ajror i Shteteve të Bashkuara. Por, zyrtarë të koalicionit që lufton grupin ekstremist në Irak, thanë se në zonën ku ndodhet xhamia nuk ka pasur sulme ajrore.