Mançester: Policia e ka arrestuar edhe një person të dyshuar

Bota May 28, 2017 - 17:53

Policia e Britanisë, që po zhvillon hetime për sulmin vdekjeprurës terrorist në Mançester, thotë se e ka bërë edhe një arrestim, derisa po i vazhdon përpjekjet për zënien e të dyshuarve, që e përbëjnë një rrjet, pjesë e të cilit besohet se ishte edhe sulmuesi vetëvrasës, Salman Abedi.

Oficerët e policisë thanë sot se e kanë arrstuar një mashkull 25 vjeçar, në lagjen Old Traford, në seksionin lindor të Mançesterit.

Tash në arrest janë gjithsej 12 vetë, ndërsa dy persona të tjerë, që po ashtu, ishin në paraburgim, janë liruar.

Nga sulmi me bombë pas një koncerti në Mançester më 22 maj, janë vrarë 22 vetë, shumë prej tyre fëmijë.

Më se 60 vetë mbeten në spital, ndërsa 23 prej tyre janë në njësinë për trajtim intensiv. /REL/