Përfundon takimi i grupit G7 në Itali

Bota May 28, 2017 - 09:33

Takimi dyditor i grupit G7 të vendeve më të industrializuara të botës, ka përfunduar punime ditën e shtunë me nxjerrjen e një deklarate. 

Në takimin e këtij grupi është diskutuar mbi sulmet dhe kërcënimet kibernetike, lufta kundër terrorizmit, ndryshimet klimatike dhe çështja e ngrohjes global, si dhe zgjerimi i marrëdhënieve me Afrikën. Liderët e grupit të G7-s nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për një deklaratë të përbashkët mbi ndryshimet klimaterike.

Gjashtë liderë botërorë riafirmuan angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes së Parisit, e para marrëveshje gjithëpërfshirëse në botë që synon reduktimin e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Por, SHBA ka refuzuar të ri angazhohet ndaj marrëveshjes duke thënë se do të marrë një vendim javën e ardhshme. Ajo për të cilën liderët e SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë ranë dakord, ishte një deklaratë për luftën ndaj terrorizmit.

Për kancelaren gjermane, Angela Merkel, diskutimet mbi klimën kanë qenë shumë zhgënjyese. Ne kishim një situatë ku ishin gjashtë kundër një. Deri më tani nuk kemi informacione nëse SHBA do të qëndrojë në marrëveshjen e Parisit apo jo. Sidoqoftë ne nuk tërhiqemi dhe gjashtë shtetet e tjera anëtare të G7-ës plus BE vazhdojnë të mbështesin objektivat, u shpreh Merkel. Presidenti amerikan, në një postim në “Twitter” shkruante: “Unë do të marr një vendimin përfundimtar për marrëveshjen e Parisit, javën e ardhshme”.

Për sa i takon tregtisë së lirë, G7 ka qenë kampione e saj që nga krijimi. Në samitin e vitit të shkuar në Japoni, liderët nënvizuan nevojën e evitimit të proteksionizmit. Por, kjo ndodhi para zgjedhjes së Donald Trump president nën sloganin, “Amerika e para”. Trump ndërkohë nuk është kursyer në kritika kundër Gjermanisë dhe eksporteve të makinave të saj në SHBA. Sidoqoftë, të gjithë liderët e G7-s ranë dakord të mbështesin komunikatën finale ku premtohej se do të luftohej proteksionizmi pavarësisht se pranohej se tregtia jo gjithnjë ka funksionuar në të mirë të të gjithëve. Liderët e grupit G7 u takuan edhe me kryetarët afrikanë të shteteve për të biseduar mbi krizën e emigrantëve. Liderët e Tunizisë, Kenias, Etiopisë, Nigerit dhe Nigerisë do t’i bashkohen ditës së dytë të Samitit të G7 në Taormina, Siçili.

Italia zgjodhi ta organizojë takimin atje për të tërhequr vëmendjen mbi Afrikën dhe miliona emigrantë që rrezikojnë jetën për të mbërritur në Evropë. Por diskutimi i samitit është mbizotëruar nga tema si terrorizmi dhe ndryshimi klimaterik. Pas diskutimeve të ditës së parë, Trump u tha liderëve të tjerë të G7 se ai nuk kishte vendosur ende nëse do të mbështesë marrëveshjen e Parisit për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë. E

kzistojnë shqetësime se një tërheqje e Shteteve të Bashkuara mund të bëjë që të tjerët të vënë në dyshim marrëveshjen. Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres që gjithashtu ndodhet në Siçili për takimin, është shprehur se akordi do të mbijetojë pavarësisht pozicionit të zotit Trump. Mediat amerikane e kanë përshkruar axhendën e këtij turi si tepër ambicioze, nisur nga fakti se Trump është vetëm në vitin e tij të parë si president. Sidoqoftë, titujt kryesorë të mediave vijojnë të mbeten të mbizotëruara nga lidhjet e dyshuara me Rusinë dhe nga pakënaqësitë në rradhët e republikanëve mbi vendimet politike të marra deri më tani.