Liderët botërorë: Kjo ideologji e ligë duhet të zhduket plotësisht (Video)

Bota May 23, 2017 - 11:06

Të paktën 22 persona janë vrarë – përfshirë edhe fëmijë - dhe 59 të tjerë janë plagosur, në një sulm të dyshuar terrorist, jashtë një arene në qytetin e Mançesterit.

Policia britanike ka thënë se sulmi besohet se është kryer nga një person, pas koncertit, që këngëtarja amerikane, Ariana Grande ka mbajtur në Manchester Arena.

“Në këtë fazë, ne besojmë se sulmi i mbrëmshëm është kryer nga një person”, ka thënë shefi i policisë në Mançester, Ian Hopkins.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje.

“Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media.

Shërbimet emergjente në Britani kanë thënë se kanë dërguar në spital 59 viktima të shpërthimit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka dënuar fuqishëm sulmin nnë Mançester, duke thënë se ai u krye nga persona të “lig”.

Duke folur nga Betlehemi, Trump ka ofruar “ngushëllimet më të sinqerta” për viktimat dhe familjet e tyre.

Ai tha se sulmi ka prekur “fëmijë të pafajshëm” dhe shtoi se kjo “ideologji e ligë duhet të zhduket plotësisht”.

Ndërkaq kancelarja gjermane, Angela Merkel ka shprehur pikëllimin e saj për ngjarjen në Mançester.

“Ky sulm i dyshuar terrorist vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë për të punuar me miqtë tanë britanikë, kundër atyre që planifikojnë dhe kryejnë akte të tilla çnjerëzore. Unë i sigurojë njerëzit në Britani se Gjermania qëndron pranë jush”, thuhet në deklaratën e Merkelit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur “tmerrin” se në mesin e viktimave të këtij sulmi ka edhe fëmijë. Ai ka thënë se ai do të bisedojë me kryeministren britanike, Theresa May për këtë ngjarje.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka shprehur “pikëllimin e thellë” për këtë “sulm brutal”.

“Më thyhet zemra të mendoj se edhe njëherë, terrorizmi ka gjetur mënyrën që të fusë frikën aty ku duhet të ketë gëzim”, tha ai.

Në deklaratën e Kremlinit thuhet se presidenti rus, Vladimir Putin dënon “këtë krim çnjerëzor”.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping i ka dërguar një mesazh Mbretëreshës Elizabeth, ku i ka shprehur “ngushëllimet më të sinqerta”.

“Populli kinez qëndron pranë popullit të Britanisë në këtë kohë të vështirë”, citohet të ketë thënë Xi.