SHBA ngre shqetësimin për dhunën e truprojeve të Erdoganit

Bota May 18, 2017 - 10:44

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimet te Turqia, pasi pjesëtarë të sigurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, u përleshën me protestues në Uashington.

"Dhuna nuk është kurrë përgjigje e përshtatshme ndaj fjalës së lirë. Ne e mbështesim të drejtën e njerëzve kudo, për shprehje të lirë dhe protestë paqësore", tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

Erdogan ka qenë në Uashington më 16 maj, për bisedime me presidentin Donald Trump, por vizita e tij u përshkua me dhunë midis truprojeve të tij dhe demonstruesve pro-kurdë.

Dëshmitarët thanë se truprojet turke shtynë kordonin e policisë jashtë rezidencës së ambasadorit turk në Uashington dhe sulmuan protestuesit me grushte dhe këmbë.

Një zëdhënës i policisë e përshkroi ngjarjen si "sulm brutal mbi një protestë paqësore".

Dy të dyshuar u arrestuan në vendngjarje dhe 11 veta u lënduan. /REL/