Refugjatët e padëshirueshëm myslimanë

Bota May 18, 2017 - 08:55

Javën e kaluar Gjykata e Bashkimit Evropian ka filluar shqyrtimin e procesit në lidhje me një temë me të cilën BE-ja po ballafaqohet për një kohë të gjatë. Fjala është për shpërndarjen e refugjatëve në vendet anëtare, gjë të cilën po e kundërshtojnë Sllovakia dhe Hungaria

Kur në vitin 2015 në Këshillin e Bashkimit Evropian u mor vendim për shpërndarjen në vendet anëtare të Bashkimit Evropian të rreth 120.000 refugjatëve, të cilët gjendeshin në kampet e refugjatëve në Greqi, Robert Fico, kryeministri i Sllovakisë, ishte dukshëm i zemëruar.

"Ky është një urdhër që ne nuk mund ta pranojmë. Unë i qëndroj besnik premtimit tim: Për sa kohë që unë do të jem kryeministër asnjë ‘kuotë e refugjatëve’nuk do të vijë në Sllovaki", kishte deklaruar Fico, transmeton "Zeri.info".

Në bazë të vendimit për shpërndarjen e kuotave Sllovakisë i kishin rënë “hise” vetëm 805 refugjatë që ky shtet anëtar i BE-së do të duhej t’i pranonte. Përveç Sllovakisë, kundër shpërndarjes së refugjatëve ishin deklaruar edhe Hungaria, Rumania dhe Republika Çeke.

Kjo e fundit në fakt është e vetmja që ka bërë një lëshim shumë të vogël, duke e lënë të hapur mundësinë e pranimit të më shumë se 1.500 refugjatëve sa ishte oferta e saj fillestare, vetëm se me kushtin që sistemi i shpërndarjes të mbetet në bazë vullnetare.
Nuk është se s’ka të huaj në Çeki. Sipas të dhënave të vet Ministrisë së Brendshme, në këtë vend jetojnë me dokumente të rregullta 458.000 të tillë, nga 10.5 milionë banorë që është popullsia në total.

Kjo ishte një situatë për të ardhur keq, e cila mund të ishte shmangur, tha politikologu Wladimir Handl.

"Kjo çështje sigurisht se kishte baza ligjore dhe legjitime. Por kjo nuk ishte politikisht e mençur. Këto vende janë me të vërtetë të zemëruara, ndërsa të tjerat vetëm kanë tundur kokën, por asgjë pothuajse konkrete nuk është bërë", kujton Handl.

“Islami nuk ka vend në Sllovaki, ne nuk jemi multikulturor”

Bashkimi Evropian është me të vërtetë larg nga zbatimi i atij vendimi. Arsyeja nuk është vetëm që katër vendet e sipërpërmendura po e kundërshtojnë atë, por edhe vende të tjera në mënyrë të heshtur po shfaqin pengesa, duke frenuar të gjithë procesin.

Por për Robert Ficon nuk ishte e mjaftueshme vetëm për të shprehur mosmiratimin e vendimit për shpërndarjen e refugjatëve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, po çështja madje shkoi edhe në gjykatë. Zyra e tij në fillim të dhjetorit 2015 vendosi që Sllovakia këtë çështje ta sjellë para Gjykatës së Bashkimit Evropian.

"Ne jemi qeveria e Sllovakisë, qeveria e një shteti sovran. Ne kemi të drejtë të paraqesin një ankesë të tillë", shpjegoi kryeministri sllovak. Dhe kësaj padie i është bashkuar edhe Hungaria.

Ashtu si shumë vende të tjera më të vogla evropiane që kanë qenë ndër shekuj nën sundimin e huaj, kështu që edhe Sllovakia është veçanërisht e ndjeshme kur bëhet fjalë për sovranitetin dhe në këtë rast vendimmarrjen se kush vjen në vend dhe kush jo.

Prandaj, për qeverinë në Bratislavë në rastin më të mirë duhet të merren parasysh marrëveshjet vullnetare. Dhe në qoftë se duhet pranuar refugjatë, atëherë lutemi të jenë refugjatë të krishterë apo ukrainas, shprehen zyrtarët nga Bratislava, ndërsa Robert Fico u shpreh: "Më pëlqen të them fjalë të qarta. Islami nuk ka vend në Sllovaki. Ne nuk jemi vend multikulturor. Ne për këtë themi jo dhe nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë", përcjell "Zeri.info".

Çështja e refugjatëve si "minierë (politike) ari"

Në këtë mënyrë kreu i qeverisë në vend mjaft qartë shprehu thelbin e asaj që mendon edhe popullsia. Sllovakia, me pesë milionë banorët e saj, ka një numër shumë të vogël të të huajve që jetojnë në vend (më pak se tre për qind). Disa mijëra prej tyre janë myslimanë.

Por atje ku pothuajse nuk ka asnjë të huaj frika ndaj tyre është veçanërisht e theksuar. Ky është realiteti politik që po kalkulohet nga një kryeministër populist, i cili dëshiron sërish të rizgjidhet.

"Robert Fico e ka kuptuar se me temën e refugjatëve ka hasur në një minierë politike me ari", tha gazetari sllovak Marian Lesko në mars të vitit të kaluar para zgjedhjeve parlamentare në Sllovaki.

Emigrantët myslimanë si terroristë potencialë, si një kërcënim për sigurinë e brendshme, ky ekuacion ka dominuar fushatën zgjedhore.

Por kjo nuk e ka ndihmuar edhe aq shumë kryeministrin. Fico dhe partia e tij e majtë populiste ka humbur shumicën e absolute dhe tani po qeverisin vendin me dy partnerët e koalicionit. Në parlament tani është ulur edhe një parti neonaziste. Dhe me të gjitha këto ndodhi në Sllovaki, për një gjë të gjithë janë dakord: imigracioni, të paktën ai mysliman, nuk është i dëshirueshëm.

Dhe kushdo si refugjat që hyn në Sllovaki - 16 prej tyre thuhet se ishin deri më tani në këtë vit - para së gjithash dërgohen në një lloj kampi për të burgosurit; një lloj frikësimi që tashmë ka bërë jehonë. Pra, tanimë që dihet publikisht se qeveria në Bratislavë shprehet kundër mbërritjes së refugjatëve në Sllovaki, mbetet për të parë se çfarë do të thotë Gjykata e BE-së në Luksemburg.

Vendimi pritet në tetor të këtij viti ose më së voni në mars të vitit të ardhshëm.