Presidenti i Koresë Jugore: Ka mundësi të mëdha për luftë me Korenë Veriore

Bota May 17, 2017 - 12:31

Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, ka thënë se ekziston një mundësi e madhe për luftë me Korenë Veriore teksa paralajmëroi se testimi më i fundit i raketës balistike nga Veriu është kërcënim i rëndë ndaj paqes globale.

“Realiteti është se ekziston një mundësi e madhe për një konflikt ushtarak në NLL (Në Vijën e Limitit Verior) dhe vijën e demarkacionit ushtarak”, Moon është cituar të ketë thënë nga Presidenca e Koresë Jugore, transmeton Express.

“Ne do të merremi me Korenë Veriore në mënyrë të ashpër bashkë me komunitetin ndërkombëtar,” ka thënë Moon gjatë një vizite në Ministrinë e Mbrojtjes në Seul, raporton agjencia e lajmeve “Younhap”.

Ai, po ashtu ka thënë se ushtria e vendit është e gatshme dhe në gjendje të godasë Veriun nëse sulmohet.

“Para katër ditësh, Koreja Veriore shkrepi një raketë dhe pohon se e ka testuar me sukses raketën balistike me rreze të mesme veprimi,” ka thënë Moon.

Koreja Veriore dhe Koreja e pasur dhe demokratike Jugore teknikisht janë ende në luftë, për shkak se konflikti i vitit 1950-53 mbaroi në armëpushim, jo përmes ndonjë traktati të paqës.

Ndërkohë, para dy ditëve, Këshilli i Sigurimit të OKB-së njëzëri e dënoi testimit e raketës balistike nga Koreja Veriore të dielën në mëngjes si dhe paralajmëroi për sanksione të reja ndaj vendit të izoluar.

Testimet e vazhdueshme të raketave nga Veriu gjatë këtij vitit – edhe pse jo të gjitha prej tyre të suksesshme por që shkelen sanksionet e OKB-së – kanë shkaktuar alarm ndërkombëtar dhe i kanë rritur tensionet me SHBA-në.

Koreja Veriore është e njohur për zhvillimin e armëve bërthamore – ka kryer pesë testime bërthamore – dhe raketave që janë në gjendje ta godasin cakun me ato armë bërthamore. Të dyja bien në kundërshtim me sanksionet e OKB-së.

Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse Veriu e ka aftësinë për të zhvilluar armë që janë mjaftueshëm të vogla për t’u montuar në raketë, dhe asnjëherë nuk e ka testuar ndonjë raketë me rreze të gjatë veprimi ICBM, e cila mund ta arrijë, për shembull, SHBA-në./Express/