Clinton formon një organizatë politike anti-Trump

Bota May 16, 2017 - 11:17
Ish-kandidatja për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, nisi një organizatë të re politike, me synimin për të nxitur shtetasit amerikanë të përfshihen në politikë dhe të mbështesin grupet që kundërshtojnë administratën Trump.

Me organizatën “Së bashku përpara”, Clinton kthehet në arenën politike, pas humbjes nga republikani Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

“Muajt e fundit, kam reflektuar, kam kaluar kohë me familjen dhe, po, kam ecur nëpër pyje”, tha Clinton, 69 vjeçe.

“Më shumë se kurrë, besoj se angazhimi i qytetarëve është jetik për demokracinë tonë. Jam e frymëzuar nga të gjithë ata që ngrihen për të organizuar dhe udhëhequr”, tha Clinton në një seri të postimeve në Twitter.

“Këtë vit nuk ka ndodhur ajo që kam parashikuar, por e di se për çfarë vazhdoj të luftoj: Një Amerikë më të mirë, me zemër më të madhe, më gjithëpërfshirëse. Përpara”, shkroi Clinton.

Ajo përmendi pesë grupe me prirje majtiste që do t’i mbështesë lëvizja e re.

Zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Republikan, Michael Ahrens, e kritikoi lëvizjen e Clintonit.

“Nëse demokratët do të ishin të zgjuar, do ta kuptonin se është kohë për të lëvizur përpara pa Hillary Clintonin”, tha ai.