Mbyllet piceria e shqiptarit që ofronte ushqim falas për njerëzit në nevojë

Bota May 16, 2017 - 09:30

“Ju lutem, mos e keqpërdorni këtë mirësi, në mënyrë që nevojtarët të mundë të përfitojnë prej saj”.

Një apel që nuk u dëgjua kudo.

Menaxherët shqiptarë hoqën dorë nga piceria “Toscana” në Greifensee ZH, të cilët vitin e kaluar u bënë lajm i mediave, sepse ofruan falas ushqimin për ata që kishin nevojë. “Shumë njerëz fatkeqësisht e keqpërdorën veprimin tonë”, thotë për “Blick” Gino Ramadani (40), i cili udhëhoqi restorantin së bashku me gruan e tij, Elvirën (37).

“Disa ishin madje të pacipë. Kishte njerëz që nuk kishin nevojë për ushqim falas, por insistonin në një ëmbëlsirë të lirë ose në një shishe të lirë”. Ramadani nuk kërkoi para, edhe pse këta mysafirë nuk kishin nevojë. Përkundër kësaj, Ramadani nuk pendohet për aksionin e ndarjes së ushqimit falas, transmeton albinfo.ch.

“Kam pasur shumë reagime pozitive dhe kam njohur shumë njerëz të mirë”. "Kishte shumë miq, të cilët kishin ngrënë falas në restorantin tim”, thotë Ramadani. “Jam krenar që kam ofruar më shumë se 3000 ushqime falas”, thotë Ramadani, i cili kishte regjistruar humbje me këtë aksion deri 60 mijë franga.

“Tani kemi gjetur një qiramarrës të ri për ta marrë menaxhimin e restorantit”. Ramadani nuk do të ishte në gjendje të thotë nëse pronari i ri do të vazhdojë aksionin e njëjtë. Por, ai e di se restoranti do të jetë në duar të mira.

Gino Ramadani dhe e shoqja, Elvira, kanë bërë diçka që vështirë se do ta ketë bërë dikush para tyre. Ata kanë nxjerrë një shpallje ku tregojnë se në picerinë e tyre “Toscana” në Greifensee të Kantonit të Cyrihut, ofrojnë pica pa pagesë për të varfrit.

Fillimisht gruaja kishte dilema, duke menduar se nuk ka në Zvicër njerëz aq të varfër sa të përfitojnë nga oferta e tyre. Por, me kohë ajo është bindur se e ka pasur gabim, shkruajnë mediet zvicerane si 20minuten.ch, blick.ch.

Ajo dhe i shoqi thonë se kanë parë një numër relativisht të madh të atyre që kanë nevojë për një ofertë të tillë, 35 veta deri tash.

Janë kryesisht familjet me kushte të vështira dhe gratë vetëmbajtëse të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë ndonjëherë për të ngrënë në restorant.

Këtë ide Ramadani e ka nga axha i tij në Berlin, i cili i ushqen të pastrehët.

“Një familje me tre fëmijë ishte për të ngrënë në restorantin tonë. Ata porositën fare pak dhe nuk pinë asgjë. Pastaj erdhi kryefamiljari për të paguar. Ai tha se kishin nëntë vjet që nuk kishin qenë në ndonjë restorant. Natyrisht, ne u dhamë të hanë falas”, thotë Gino. “Unë ju thashë se ata mund të vijnë këtu njëherë në muaj dhe se nuk duhet të paguajnë”, transmeton albinfo.ch.

Përvojat e para janë të mira. Kanë filluar edhe lëvdatat përmes rrjeteve sociale madje ka edhe njerëz që duan të ndihmojnë familjen Ramadani për të mbajtur këtë ofertë. Me mijëra veta kanë shpërndarë dhe kanë pëlqyer idenë e tij. Një grua e cila me familje e saj nuk kishte ngrënë në restorant dhe as kishte bërë pushme për 14 vjet, kishte qarë nga emocionet kur i ishte ofruar kjo ofertë.