Merkel dhe Erdogan pėrplasen edhe pėr ushtrinė

Merkel dhe Erdogan pėrplasen edhe pėr ushtrinė

SHPËRNDARJE

15 Maj 2017 • 19:47 •

Përplasjet mes Berlinit dhe Ankarasë po krisin edhe partneritetin ushtarak mes dy anëtarëve të rëndësishëm të NATO’s.

Gjermania paralajmëroi se do të tërheqë trupat ushtarake nga baza ajrore e Inçirlikut, një prej bazave më të rëndësishme të aleancës veri-atlantike për Lindjen e Mesme.

Paralajmërimi erdhi pasi autoritetet turke refuzuan kërkesën e një grupi deputetësh gjermanë, të cilët donin të vizitonin trupat gjermane të stacionuara në këtë bazë.

Delegacioni i parlamentit gjerman kishte kërkuar të vizitonte bazën në 16 prill.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë me Turqinë, por paralelisht do të duhet të shqyrtojmë mënyra të tjera të përmbushjes së mandatit tonë”, tha Merkel.

“Kjo do të thotë të shikosh alternativat për Incirlikun, dhe një ndër të tjera është Jordania”, shtoi ajo.

Por qeveria turke e konsideroi "të papërshtatshme" që një grup politikanësh të huaj të vizitojnë bazën ushtarake në jug të Turqisë.

Për politikanët, hyrja në një bazë ushtarake turke bëhet me një leje të posaçme, ndërsa për stafet ushtarake e teknike është e lirë.

Një prej arsyeve të refuzimit ishte pranimi i kërkesës për azil nga autoritetet gjermane të disa oficerë turq të ushtrisë që kishin marrë pjesë në grushtin e dështuar të shtetit të korrikut të vitit të kaluar në Turqi.

Autoritetet gjermane refuzuan gjatë këtij viti edhe kërkesën e disa ministrave turq për të marrë pjesë në fushatën e turqve të diasporës në Gjermani për referendumin presidencial të 16 prillit.

Mediat gjermane bëjnë të ditur se ministria gjermane e mbrojtjes po kërkon një bazë të re për të stacionuar trupat e saj në rajon.

Aktualisht në Inçirlik janë stacionuar 260 trupa ushtarake, disa avionë zbulues Tornado e furnizues ajrorë me karburant për avionët ushtarakë.

Ky kontigjent është i përfshirë në misionin mbështetës ku trupat gjermane janë përfshirë në operacionet e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik.