Mbështetja për informatorët, një ndër më të fuqishmet në rajon

Bota April 29, 2017 - 10:10

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal publikoi kohët e fundit një studim që vlerëson qëndrimet e publikut ndaj informatorëve (denoncuesve), si një mjet i rëndësishëm kundër korrupsionit i promovuar nga qeveritë përmes ngritjes së mbrojtjes ligjore për një gamë të gjerë veprash hakmarrëse si dhe agjencive të caktuara për të hetuar ankesat.

7,000 njerëz në Ballkanin Perëndimor u anketuan dhe qëndrimet e tyre ndaj informatorëve u matën në bazë të një sërë pyetjesh kyçe, duke përfshirë pranueshmërinë e denoncimit, mënyrën më të mirë për të marrë masa për keqbërjet dhe qëndrimet për përdorimin e medieve dhe internetit për t’i ekspozuar keqbërjet.

Denoncimi është demonstruar të jetë ndër mënyrat më efektive për të ekspozuar dhe luftuar krimin dhe korrupsionin dhe Kosova* ishte ndër juridiksionin e parë në rajon që e miratoi një ligj për denoncim në vitin 2011 që mbulon raportet për sjellje të pahijshme në sektorin publik dhe atë privat. Ligji përmban një numër standardesh të njohura ndërkombëtare, të tilla si kërkesat për vendet e punës që të kenë dispozita për të mbrojtur denoncuesit, demaskimi i denoncuesve do të hetohet dhe të njëjtit do të informohen për rezultatin e rasteve.

Mbështetje e fortë për informatorët

Pavarësisht faktit se ligji shihet si i zbatuar në mënyrë joadekuate, sondazhi ynë tregon mbështetje të fortë për informatorët dhe praktikën e denoncimit. Njerëzit në Kosovë* kanë një besim të fortë se punonjësit duhet t'i marrin gjërat në duart e tyre kur dëshmojnë sjellje të pahijshme dhe se menaxherët janë seriozë në lidhje me mbrojtjen e informatorëve. Rezultatet sugjerojnë se publiku i jep një vlerë të lartë rolit të qytetarëve që raportojnë krimin dhe korrupsionin dhe se ata duhet të mbrohen dhe të mbështeten për veprimin e tillë.

Dy nga tre të anketuar (65 për qind) thanë se njerëzit duhet të mbështeten, të mos ndëshkohen, për raportimin e keqbërjeve të rënda, edhe nëse kjo do të thotë zbulimin e informacionit nga brenda organizatës së tyre. Kjo renditet ndër pikëpamjet më të forta në shtatë ekonomitë e anketuara.

Pothuajse gjysma e të anketuarve thanë se është përgjithësisht e pranueshme në shoqëri që njerëzit të flasin për padrejtësi të rënda dhe më shumë se gjysma thotë se shumë informata mbahen sekrete në organizata dhe institucione - të dyja më të larta se mesatarja rajonale. Pakënaqësia e qytetarëve me sekretin mund të ketë ndikim mbi miratimin e tyre të denoncimit si mjet për të raportuar informacionin nga brenda.

Shtatë nga tetë personat e anketuar thanë se do të ndiheshin të detyruar ta raportojnë sjelljen e keqe që ndodh brenda organizatës së tyre

Për më tepër, tre të katërtat e të anketuarve thanë se është e pranueshme të ekspozohen keqbërjet e kryera brenda organizatave nga stafi dhe punëtorët tjerë, me rezultate të ngjashme për zbulimin e informatave të tilla për ata që janë përgjegjës (73%) dhe miqtë dhe anëtarët e familjes që punojnë në organizatë (70%). Kjo është deri diku rezultati më i lartë midis shtatë ekonomive të anketuara. Më pak se 10 për qind e të anketuarve besojnë se raportimi për këta njerëz si përgjigje e grupuar nuk është e pranueshme, gjysma e mesatares rajonale.

Shtatë nga tetë personat e anketuar thanë se do të ndihen të detyruar të raportojnë sjellje të keqe që ndodhin brenda organizatës së tyre. Përveç kësaj, tre të katërtat thanë se raporti i tyre do të përmbushej me një përgjigje (76%) dhe se menaxherët janë seriozë në lidhje me mbrojtjen e denoncuesve. Këto rezultate janë gjithashtu dukshëm më të larta se çdo ekonomi tjetër e anketuar dhe ata duhet të ofrojnë impuls për mbështetjen që u jepet organizatave për të zhvilluar dhe përmirësuar politikën e tyre të mbrojtjes së denoncuesve dhe politikave antihakmarrëse.

Besimi i lartë në autoritetet publike

Rezultatet tregojnë gjithashtu se ka besim tek autoritetet publike, pasi gjashtë në dhjetë thanë se mënyra më efektive për t’i ndaluar keqbërjet e rënda është duke raportuar atë nëpërmjet kanaleve zyrtare. Kjo është dyfishi i mesatares rajonale. Vetëm një në njëzet vetë tha se nuk ka kanale efektive të raportimit, deri më tani më e ulëta midis shtatë ekonomive. Kosova* renditet më e larta në aspektin e njerëzve që besojnë se procedurat administrative në institucionet publike janë efikase - 56 për qind. Kjo mund të shërbejë për të shpjeguar besimin e qytetarëve në raportimin e sjelljeve të pahijshme tek autoritetet.

Në kontrast, anketimi i vitit 2015 gjithashtu ka gjetur se njerëzit në Kosovë* kryesojnë renditjen në besimin se ryshfeti dhe shpërdorimi i pushtetit janë të përhapura në mesin e zyrtarëve që japin tenderë publikë dhe lëshojnë leje ndërtimi. Shqetësimet e qytetarëve për korrupsionin në Qeveri, të kombinuara me mbështetjen e tyre shumë të fuqishme për denoncim dhe besimin e dukshëm në autoritetet publike, mund të ofrojnë mundësi për të zhvilluar mbrojtje ligjore më të forta për punonjësit dhe qytetarët që raportojnë keqpërdorime. Shqetësimet rreth ryshfetit gjithashtu mund të nxisin qëndrimet e publikut rreth denoncimit.

Besimi në medie gjithashtu shënoi rezultat të mirë në anketë. Pothuajse nëntë në dhjetë vetë thanë se denoncuesit duhet të lejohen të kontaktojnë me mediet ose të përdorin internetin. Katër në dhjetë thanë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të përdorin këto mënyra si një opsion i parë, pavarësisht nga situata. Të dy rezultatet janë shumë më të larta se në çdo ekonomi tjetër. Megjithatë, pavarësisht këtyre pikëpamjeve të qytetarëve, “Freedom House” kategorizon mediet e Kosovës si "pjesërisht të lira", të pozicionuar në vendin e 97-të nga 199 ekonomitë në mbarë botën dhe në vendin e 37-të nga 42 ekonomitë evropiane.

Të marra së bashku, këto pikëpamje e bëjnë Kosovën* të jashtëzakonshme midis shtatë ekonomive të anketuara. Ato duhet të sigurojnë një shtysë për të përmirësuar mbrojtjen e informatorëve të miratuar me ligj në vitin 2011, me një vëmendje të veçantë në ndjekjen e suksesit ose të dështimit të zbatimit.

Anketa prodhoi shumë gjetje të rëndësishme në ekonomitë individuale, nga të cilat mund të nxirren konkluzione kuptimplota. Ju mund të gjeni dhe shkarkoni Analizën e të Dhënave të Anketimit të Opinionit rreth denoncimit dhe mbrojtjes së denoncuesve në faqen e internetit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal – “www.rcc.int”.

 

Radu Cotici, PhD

Ekspert për Reformën e Administratës Publike dhe Kundërkorrupsionit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.