Bota po armatoset. Vjet u shpenzuan 1.686 miliard dollarë

Bota April 24, 2017 - 13:01

“Bota ka rritur shpenzimet për armatimin, ndërsa diplomacia po tërhiqet”, thotë në studimin e tij të fundit Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes, me seli në Stokholm.

Raporti tregon se shpenzimet globale për armatimin janë rritur për herë të parë që nga viti 2014. Sipas “SIPRI”-t, vitin e kaluar vendet dhanë 1.686 miliardë dollarë për armatime.

Listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. Kjo e fundit rezulton t’i ketë shtuar shpenzimet ushtarake, pavarësisht uljes së çmimit të naftës dhe sanksioneve ekonomike të Perëndimit.

Arabia Saudite ishte shpenzuesja e tretë më e madhe për ushtrinë në vitin 2015, por vitin pasues zbriti në vendin e katërt, me uljen e këtyre shpenzimeve me 30%, pavarësisht angazhimit të saj të vazhdueshëm në luftërat rajonale, lexohet në raport.

Shkurtimi i buxhetit ushtarak të Rijadit vjen për arsye ekonomike dhe jo politike, i ndikuar drejtpërdrejt prej tkurrjes së kuotimit të “arit të zi” në tregje.

Amerika mbetet e betonuar në pozicionin e parë. Shtimi i fondeve të saj për ushtrinë në vitin 2016 mund të sinjalizojë fundin e trendit të uljes së këtyre shpenzimeve, të vënë re në SHBA pas krizës ekonomike të vitit 2008 dhe tërheqjes së trupave nga Afganistani e Iraku.

Ndryshe nga përpara 10 vitesh, sot nuk zgjidhen aq shumë rrugë si diplomacia dhe organizmat ndërkombëtarë.

“Në vend të kësaj, shtete të veçanta përpiqen të garantojnë sigurinë e tyre përmes armatimit”, tha për “Deutsche Welle”-n, politologu Marius Balves, nga Qendra e Bonit për Studimet e Transformacionit.

“Aneksimi i Krimesë nga Rusia, - thonë ekspertët, - tensionet në detin e Kinës Jugore dhe luftërat në Lindjen e Mesme kanë rritur që të gjitha frikën se konfliktet e armatosura mund të zgjerohen, ndërsa besimi te puna e institucioneve ndërkombëtare po zhduket”.