Kim Jong-un kërcënon Australinë me armë bërthamore

Bota April 23, 2017 - 18:55

Përveç Shteteve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka kërcënuar edhe Australinë me sulm bërthamor, në rast se qeveria e këtij vendi do të pranojë të ndjenjë linjën e amerikanëve.

Në një reagim për mediat, Ministria e Jashtme koreano-veriore tha se nuk do të ketë asnjë tolerim në rast se do të vërehen veprime agresive dhe se kundërpërgjigjja do të jetë e menjëhershme.

Deklarata e Penianit vjen gjatë vizitës së zv/Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, në Australi, ku ndër të tjera është diskutuar edhe mbi mundësinë e shtimit të sanksioneve për Korenë e Veriut. Kjo gjë me sa duket nuk është pritur mirë nga shteti diktatorial.

“Nëse Australia do të ndjekë përpjekjet amerikane për të izoluar Korenë e Veriut, ky do të ishte një akt vetëvrasës për ta, pasi do të përballen me fuqinë e armëve tona bërthamore. I sugjerojmë australianëve të mendohen dy herë përpara se të marrin vendime agresive kundër nesh”, shkruhej në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga Peniani.

Ndërkaq, në Korenë e Veriut është arrestuar një tjetër shtetas amerikan. Autoritetet bënë të ditur vetëm mbiemrin e tij që është Kim, ndërkohë që mister mbeten shkaqet e këtij ndalimi të radhës.

Në total, Koreja e Veriut ka arrestuar edhe dy shtetas të tjerë amerikanë, ku njëri është dënuar për spiunazh, ndërsa tjetri për vjedhje.

Ky veprim nuk u prit mirë nga Departamenti amerikan i Shtetit, i cili bëri të ditur se do të kërkojë sqarime për këtë rast të radhës. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur situatë në gadishullin korean mbetet mjaft e tensionuar. Shtetet e Bashkuara nuk kanë përjashtuar as mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake të natyrës parandaluese.