Paralajmëron koordinatori i Le Pen: Do të ketë luftë civile në Francë, nëse sulmet terroriste s’ndalen

Bota April 23, 2017 - 16:08

Jean Messiha, koordinatori i fushatës zgjedhore të kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka thënë se në Francë mund të shpërthejë një luftë civile, nëse vendi vazhdon të goditet nga sulmet terroriste.

Vrasja e oficerit të policisë, Xavier Jugele nga fanatiku i ISIS-it, Karim Cheurfi, të enjten që lamë pas, është më e fundit në një seri sulmesh terroriste në Francë vitet e fundit, transmeton Express.

Messiha ka thënë për BBC Newsnight se vazhdimësi e një udhëheqësie të pafuqishëm do të rezultojë në forcimin e ISIS-it brenda Francës, duke ua mundësuar atyre kryerjen e edhe më shumë sulmeve në një shkallë më të gjerë.

“Nëse shteti është i pafuqishëm, do të kemi sulme terroriste në masë të madhe – që do të rezultojnë në numër të madh dhe në vrasje, dhe këtë herë, do të ketë luftë civile,” ka thënë Messiha.

Sot, qytetarët francezë votojnë për ta zgjedhur presidentin e ri.