Nëse fiton sot në referendum Erdogan do të ketë pushtet të jashtëzakonshëm

Bota April 16, 2017 - 15:14

Ka filluar votimi në referendumin historik në Turqi, i cili do të vendosë nëse presidentit Recep Tayyip Erdogan do t’i dhurohet pushtet i ri gjithëpërfshirës.

Erdogan po kërkon që ta zëvendësojë sistemin parlamentar turk me një sistem presidencial ekzekutiv, transmeton Express.

Përkrahësit e referendumit thonë se ai do ta modernizojë vendin, por kundërshtarët e tij druajnë se do të çojë drejt një autoritarizmi më të madh.

Një votë “Po” po ashtu do ta shohë Erdoganin president deri në vitin 2029.

Sa të rëndësishme janë ndryshimet kushtetuese?

Ato do ta përfaqësonin programin më gjithëpërfshirës të ndryshimeve kushtetuese qëkur Turqia u bë republike gati një shekull më parë.

Erdoganit do t’i dhurohej pushtet kryesisht i shtuar për të emëruar ministrat e kabinetit, për të nënshkruar dekrete, për të zgjedhur gjykatës të lartë dhe për ta shpërbërë parlamentin.

Sistemi i ri do ta largojë postin e kryeministrit dhe ta koncentrojë pushtetin në duart e presidentit, duke e vënë të gjithë burokracinë  e shtetit nën kontrollin e tij.

Çka do të ketë kushtetuta e re?

Drafti i kushtetutës së re thekson se zgjedhjet e radhës parlamentare dhe presidenciale do të mbahen më 3 nëntor 2019.

Presidenti do të ketë mandat pesëvjeçar, për dy terme në maksimum.

·         Presidenti do të jetë në gjendje t’i emërojë zyrtarët e lartë publikë, përfshirë ministrat

·         Po ashtu, ai do të jetë në gjendje t’i emërojë një apo disa zëvendëspresidenta

·         Posti i kryeministrit, që momentalisht mbahet nga Binali Yildirim, do të hiqet.

·         Presidenti do të ketë pushtet të ndërhyjë në gjyqësor, të cilin Erdogani e ka akuzuar se është ndikuar nga Fethullah Gulen, predikuesi që jeton në Pensilvani, të cilin ai e akuzon për puçin e korrikut të vitit 2016 kundër tij.

·         Presidenti vendos për të shpallur apo jo gjendje të jashtëzakonshme.