Erdogan s'heq dorë nga plani për kthimin e dënimit me vdekje në Turqi

Bota April 11, 2017 - 19:11

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se pas referendumit të 16 prillit, në të cilin pritet mbështetje e madhe për reformat kushtetuese në Turqi, në axhendën e Parlamentit do të jetë projektvendimi për futjen e dënimit me vdekje.

“Pas referendumit të 16 prillit… në axhendën e parlamentit do të gjendet projektvendimi për dënimin me vdekje", ka thënë presidenti turk, përcjell Atsh.

"Devlet Bahçeli, kryetar i partisë opozitare MHP, thotë se e mbështet këtë. Edhe Binali Yildirim. Nëse nuk e kam kuptuar gabimisht edhe Kemal Kiliçdaroglu, kryetar i partisë opozitare CHP, ka thënë se do ta mbështesë propozimin. Nëse nuk e mbështesin, ne do të organizojmë edhe një referendum rreth kësaj çështjeje”, ka shtuar Erdogan.