Britania dorëzon në BE letrën zyrtare për fillimin e Brexit-it

Bota March 29, 2017 - 14:33

Britania e Madhe ka dorëzuar letrën zyrtare të nënshkruar nga kryeministrja Theresa May, për të nisur procesin e daljes nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori i Britanisë në BE, Tim Barrow,sot në Bruksel ia dorëzoi personalisht letrën presidentit të Këshillit Evropian Donald Tusk.

“Pas nëntë muajsh Mbretëria e Bashkuara ka dorëzuar Brexit-in”, ka shkruar Tusk në Twitter.

Kryeministrja May u tha sot ligjvënësve britanikë se “tani është koha që ne të bashkohemi në këtë institucion dhe në mbarë vendin, që të sigurohemi që të punojmë për marrëveshjen më të mirë për Mbretërinë e Bashkuar dhe për të ardhmen më të mirë të mundshme për të gjithë ne”.

Para nëntë muajsh, britanikët vendosën në referendum që të dalin nga blloku, në të cilin, ky shtet u anëtarësua më 1973.

Britania është shteti i parë që thirret në Artikullin e 50, të Traktatit të Lisbonës për të dalë nga BE-ja.

Përpara se të nënshkruante letrën, May ka folur në telefon me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me atë të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker si dhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Liderët janë “pajtuar me rëndësinë e fillimit të negociatave në frymë pozitive dhe kontruktve, duke siguruar që procesi i daljes së Britanisë nga BE-ja të jetë i qetë dhe i rregullt”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë britanike.

Negociatat për daljen e e Britanisë nga Bashkimi Evropian do të zgjasin dy vjet. Ato mund të zgjaten por kjo gjë paraprakisht duhet të aprovohet nga 27 vendet e tjera anëtare të bllokut.

Pasi pranimit të letrës së May,Tusk pritet që brenda 48 orësh t’ju dërgojë 27 vendeve anëtare, një draft me udhëzime për negociata. Ambasadorët e BE-së më pas do të mblidhen dhe do të diskutojnë për këtë gjë.

Në samitin e liderëve të BE-së më 29 prill, vendet anëtare u pajtuan që Komisioni Evropian të ketë mandatin për të negociuar me Londrën.