Bota

Xhamia e madhe në nisë në janar, përfundon për 3 vjet

Xhamia e madhe në nisë në janar, përfundon për 3 vjet
04 janar 2015 • 10 : 14

Ai është i ri në moshë por me ide të qarta për detyrën që mban. Me plot besim është i vendosur që të konkretizojë ëndrrën më të madhe të besimtarëve myslimanë, ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në më pak se 3 vite.

Në një intervistë për KosovaPress Skënder Bruçaj kreu i Komunitetit Mysliman në Shqipëri flet për një sërë çështjesh; që nga përgjegjësia për të qenë në krye të këtij institucioni e deri te paragjykimet dhe islamofobia. Dhe se kur do të jetë gati Xhamia e Namazgjasë dhe a mbarojnë me kaq problemet e pronave mes KMSH-së dhe shtetit.

Mes të tjerash Bruçaj kërkon vëmendjen e qeverisë për të zgjidhur jo veç problemin me pronat por për të diskutuar edhe çështje të tjera të rëndësishme si edukimi i brezave edhe përmes lëndëve fetare dhe minimizimi i rrisqeve në shoqërinë shqiptare. Bruçaj flet edhe vizitën e Papa Françeskut në Tiranë dhe mesazhet që ai la për të gjithë komunitetet fetare në Shqipëri.

Ai flet edhe për ndërtimin e Xhamisë së madhe të Namazgjasë në Tiranë, për të cilën thotë se ka qenë ëndërr e myslimanëve prej viteve.

Bruçaj, thotë se në vitin 1993 u bënë disa tentativa dhe u hodh një gur themeli në ato vite, por prapë për shumë arsye nuk u arrit të ndërtohej një xhami e tillë, por tani presin që qysh në këtë muaj të ia nisin punimeve për ndërtimin e kësaj xhamie.

Bruçaj: Në janar do të filloj ndërtimi i Xhamisë së madhe në Tiranë

“Me shumë dëshirë dhe vullnet dhe me burokraci të ndryshme u arrit në një pikë që nuk kemi asnjë pengesë në lidhje me ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Ne aktualisht jemi në kontakt me donatorin kryesor që është Komuniteti Mysliman Turk. Kur prej vitesh janë mbledhur donacionet nga vetë besimtarët myslimanë turq në Turqi. Besoj së në janar ne do bëhemi gati t’ia nisim investimeve, të nis fillimi i Xhamisë që për 3 vjet, pa kaluar 3 vjet do të jetë gati. Do jetë një kompleks jo vetëm në funksionim të besimtarëve myslimanë por dhe të qytetarëve të Tiranës, me sallën e konferencave, me Muzeun me bibliotekën me shumë hapësira të ndryshme që do të jenë të përdorshme edhe për qytetarët e Tiranës”, tha Bruçaj.

Tutje kreu i myslimanëve në Shqipëri shton se është shumë interesante që afër kompleksit të Xhamisë ndodhet edhe një Muze, që do të jetë i veçantë pasi është titulluar Muzeu i Bashkëjetesës, dhe është pikërisht ai Muze që jep edhe simbolikën që Shqipëria në shumë platforma krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare dhe do jetë një muze i tillë, dhe prapë është interesante që një muze i tillë bëhet afër një Xhamie, jo pse janë myslimanët maxhoranca e besimtarëve por çdo komunitet fetar ka kontributin e vet në këtë harmoni dhe bashkëjetesë. Por sipas tij, myslimanët kanë pasur përherë një rol kryesor dhe do ta vazhdojnë për të investuar që kjo bashkëjetesë dhe kjo harmoni ndërfetare që kanë në Shqipëri ta gëzojnë edhe brezat që do vijnë.

Ndërsa, duke folur marrëdhëniet mes fesë dhe politikës, por edhe nëse politik është fajtore për zvarritjen e ndërtimit të Xhamisë së madhe, Bruçaj thotë se kanë mbajtur gjithmonë një ekuilibër në bashkëpunimin me politikanët, KMSH-ja gjithmonë është larg tendencave dhe ngjyrave politike, por sipas tij, nuk ka pasur një vullnet nga politika për zgjidhjen e çështjeve të fesë.

© zëri.info