Lufta e fuqive të mëdha për ndikim në Ballkan

Bota March 21, 2017 - 11:44

Në një analizë të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa drejtohet vëmendja tek aktorët që duan të kenë influencë në Ballkan.

Bashkimi Evropian dhe integrimi euro-atlantik për shumë vetë në rajon përbënë bazën e shpresës për një të ardhme më të mirë në Evropë. BE mbetet investitorja më e fuqishme e rajonit, me gjithë krizën aktuale.

Në një intervistë me DW, Stefan Lehne, studiues i fondacionit “Carnegie Europe” me qendër në Bruksel ka theksuar se “si në anën ekonomike, ndihma teknike e të tjera, BE është në mënyrë të pakrahasueshme më e angazhuara sesa vende të tjera, më shumë se ShBA-ja, Rusia, Turqia do të jenë ndonjëherë”.

Por krahas BE-së e ShBA-së janë edhe disa fuqi të tjera botërore që po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Evropës Juglindore, shkruan dpa. Në analizën e agjencisë gjermane të lajmeve renditen disa vende.

Rusia

Oligarkët rusë kanë blerë pjesë të mëdha të bregdetit malazez të Adriatikut me çmime fantastike. Serbia nga ana e saj e ka shitur industrinë e naftës për një çmim tejet të lirë tek Gazpromi. Ndërsa serbët boshnjakë ia kanë lënë firmave ruse rafineritë në Bosanski Brod dhe Modricë.

Mediet shtetërore “Sputnik” dhe “RT” ia dalin të jenë rregullisht prezente në mediet e Ballkanit. Ndërsa në krizën e tejzgjatur  të Maqedonisë, Moska mbështet kreun e qeverisë, Gruevski, ndërsa BE dhe ShBA opozitën. Po kështu ndahen frontet edhe në Kosovë. BE e ShBA mbështet shqiptarët, Rusia serbët. Rusia aktualisht dërgon 6 avionë të tipit MiG29 dhe një sistem mbrojtës raketor për Serbinë.

Turqia

Ky vend ka zellin e madh të rikonstruktojë xhamitë historike të shkatërruara nga lufta si në Prizren, Prishtinë, Banja Luka dhe Sarajevë. Nga ana tjetër, Turqia dëshiron të paraqitet si invenstitore e madhe në pjesët e varfra të Bosnjës e Serbisë jugore. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu ndërkohë është kthyer në një burim të rëndësishëm informacioni në mediet rajonale në gjuhët e rajonit.

Kina

Ky vend po ndërton me kredi dhe firmat e vet autostrada të rëndësishme në rajon, ura dhe linja hekurudhore. Kina po ashtu ka filluar rikonstruksionin e një centrali energjetik në Serbi, ka blerë fabrikën e çelikut në Smederevë të Serbisë dhe ka hyrë edhe në sektorin bankar rajonal./DPA/DW