Zyrtare: FBI e godet rëndë Donald Trumpin, e ndihmoi Rusia të zgjidhet President

Bota March 20, 2017 - 19:36

Shefi i Zyrës Federale të Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, James Comey, ka thënë për herë të parë të hënën se FBI është duke hetuar nëse ka pasur ndonjë koordinim ndërmjet ekipit të fushatës së Donald Trumpit dhe Rusisë së Vladimir Putinit, përderisa Rusia përzihej në zgjedhjet presidenciale në Amerikë.

Comey po ashtu i ka dhënë një goditje të qartë Trumpit, duke thënë se ai "nuk ka informata" për të mbështetur akuzat e presidentit se ai është përgjuar me urdhër të paraardhësit të tij, Barack Obama, raporton CNN.

Në një seancë dramatike dëgjimore në Komisionin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Comey - i cili edhe njëherë është gjendur në mes të një stuhie politike - po ashtu ka thënë se presidenti rus, Putin, ka pasur preferenca të qarta për kandidatin që ai dëshironte ta shihte president të ardhshëm të Amerikës - dhe demokratja Hillary Clinton nuk ishte e pëlqyera e tij, transmeton Gazeta Express.

Komentet e Comeyt kanë përbërë ndërhyrjen më të qartë të tij deri më tani në polemikat rreth asaj që agjencitë amerikane të inteligjencës e kanë vlerësuar si përpjekje nga Rusia për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane - dhe rreth një varg kundërakuzah nga vetë Trump kundër administratës së mëparshme.

Comey të hënën ka konfirmuar publikisht për herë të parë se agjencia e tij është duke hetuar nëse ka pasur një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet Rusisë dhe ekipit të Trumpit, dhe nëse mund të jenë kryer krime gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar - si pjesë e një hetimi të gjerë ndaj sulmit kibernetik ndaj serverëve të Partisë Demokratike dhe të ekipit të fushatës së Clintonit. /Express/