Çfarë fshihet pas koalicionit Putin-Erdogan

Bota January 19, 2017 - 23:19

Forcat ajrore ruse dhe turke më 18 janar kanë nisur një operacion të përbashkët ushtarak nga ajri kundër Shtetit Islamik  në qytetin al-Bab në verilindje të Aleppos, një nga bastionet e fundit të xhihadistëve pranë kufirit turk.

Kjo është hera e parë që forcat ajrore të Rusisë dhe Turqisë janë përfshirë në një operacion të përbashkët, kurse sulmet janë kryer me pëlqimin e qeverisë siriane.

Forcat ajrore ruse në këtë sulm kanë angazhuar katër aeroplanë të llojit Su-24ms, katër Su-25 dhe një bombardues Su-34, kurse Turqia tetë avionë luftarakë - katër F-16 dhe katër F-4s.

Ky veprim është ndërmarrë një ditë pasi ushtria amerikane më 17 janar tha se ka kryer sulme ajrore në mbështetje të ofensivës së Turqisë kundër Al-Bab-it, një bastion i Shtetit Islam, transmeton "Zeri.info".

Aleanca midis Rusisë dhe Turqisë është bërë kohët e fundit gjithnjë e më e fortë, veçanërisht pasi të dy vendet në dhjetor të vitit të kaluar kanë rënë dakord për një armëpushim në Siri për të përgatitur së bashku bisedimet e paqes në Astana,, Kazakistan, më 23 janar.

Por kjo aleancë nuk është e kufizuar vetëm në Siri. Presidenti turk Tayyip Erdogan njoftoi se Turqia është duke marrë parasysh anëtarësimin në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), duke braktisur përpjekjet për t'u bërë anëtare e BE-së. Pranimi i Turqisë në SCO do të jetë një pikë kthese, pasi  SCO-ja do të afrohej me Këshillin për Bashkëpunim me shtetet turkofone – një organizatë e përbërë nga Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani dhe Turqia.

Kjo organizatë ndërkombëtare gjithashtu funksionon si një organ ombrellë për të gjitha mekanizmat e tjera pan-turke për bashkëpunim sikurse Asambleja Parlamentare e vendeve turko-folëse, Shoqata Ndërkombëtare e kulturës turke (TURKSOI), dhe akademisë së Turqisë, raporton SCF-ja transmeton "Zeri.info"

Turqia është në bisedime me Rusinë për blerjen e sistemit të mbrojtjes S-400, dhe vështirë se dikush përveç  Moskës  mund t’i ofrojë Ankarasë ofertën më të mirë.

Besohet në përgjithësi se S-400 është sistemi më i mirë i mbrojtjes kundërajrore në botë, dhe me ndihmën e Rusisë, Turqia mund të fillojë prodhimin e tij në tokën e vet, dhe në masë të madhe të përmirësojë bazën e saj industriale.

Ankaraja gjithashtu dëshiron të blejë sisteme elektronike, municion dhe teknologji të raketave. General Hulusi Akar, shefi i shtabit të forcave të armatosura turke në nëntorin e kaluar vizitoi Rusinë për bisedime mbi bashkëpunimin ushtarak.

Gjatë samitit të 9-të në Shën Petersburg, në gusht të vitit të kaluar, Rusia dhe Turqia kanë nënshkruar një deklaratë të partneritetit në industrinë e mbrojtjes. Palët gjithashtu ranë dakord të formojnë një mekanizëm të përbashkët ushtarak dhe të inteligjencës për të koordinuar aktivitetet e tyre në Lindjen e Mesme.

Sipas ministrit turk të Mbrojtjes Fikri Isik, Turqia do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për të bashkëpunuar me Rusinë në Siri. Ai deklaroi se është "hapur një faqe e re" në historinë e bashkëpunimit të mbrojtjes me Rusinë.

Evakuimi i grupeve opozitare në Aleppo është rezultat i bashkëpunimit ruso-turk, kurse një dialog i ngushtë ushtarak midis Ankarasë dhe Moskës është veçanërisht i rëndësishëm për çlirimin e qyteteve strategjike si Jarblus dhe Dabiq.

Turqia duket se ka hequr dorë nga qëllimi i deklaruar më parë për largimin e presidentit sirian nga pushteti, dhe Ankaraja është deklaruar në lidhje me mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me qeverinë aktuale siriane.

Pas samitit në Shën Petersburg, udhëheqësit rusë dhe turq janë takuar edhe dy herë ballë për ballë dhe shumë herë përmes telefonit kanë diskutuar për situatën në Siri. Vizita e presidentit Putin në Turqi në tetor 2016, ishte e një rëndësie të veçantë, sepse  është nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin tubacionit të gazit Rrjedha turke, përcjell "Zeri.info".

Kryeministri turk Yildirim vizitoi Moskën në dhjetor të vitit 2016 dhe duhet theksuar se Rusia ishte vendi i parë  të cilën e vizitoi presidenti turk pas një grushti shteti të pasuksesshëm.

Turqia është një palë kyçe në bisedimet e ardhshme në Astana duke filluar nga 23 janari. Rusia, Turqia dhe Irani kanë miratuar Deklaratën e Moskës për hapat e menjëhershme për zgjidhjen e krizës në Siri. Të tre vendet kanë rënë dakord për të marrë rolin e garantuesit të procesit të paqes, duke ruajtur integritetin territorial të Sirisë dhe ndërprerjen e armiqësive në të gjitha pjesët e vendit.

Iniciativa e Moskës është shumë e rëndësishme sepse kjo është hera e parë që Turqia, Rusia dhe Irani u mblodhën rreth një platforme të pavarur dhe të bashkuar në përpjekjet e përbashkëta për zgjidhjen e krizës siriane.

Rusia, Turqia dhe Irani tani janë akterët kryesorë që ndikojnë ngjarjet në Siri.

Formimi i aleancës mes Rusisë dhe Turqisë është bërë një tendencë e dukshme, dhe këto dy kombe të mëdha, njëra prej të cilave është anëtare e NATO-s, janë bërë tanimë shokë të luftës.

Ky është një ndryshim që disa kohë më parë ishte i paimagjinueshëm. /Zeri