'Sekreti' i madh i planit të Donald Trumpit në politikën e jashtme

Bota January 14, 2017 - 09:41

Pas shumë incidenteve, kur armët e SHBA-së përfundonin në duart e “Al Qaeda”-s apo grupeve të ngjashme dhe kur trupat e stërvitura nga SHBA-ja dezertuan tek këto grupe, mbështetja e Uashingtonit për kryengritësit anti-Asad u bë pak më shumë sesa simbolike, transmeton "Zeri.info".

Për shumëkënd Donald Trumpi përfaqëson një ndryshim të madh të statuskuosë, për të mirë apo për të keq. Shumë nga kritikët e statuskosë së politikës së jashtme, të mishëruar nga treshja Bush-Clinton-Obama, janë optimistë se Trump do të përqafojë një politikë të jashtme të bazuar tek interesi. Natyrisht, të tjerët dëshpërohen se simpatia e dukshme e Trumpit për Vladimir Putinin do të thotë shitje e politikës së Shteteve të Bashkuara. Por ndoshta gjëja më e habitshme në lidhje me qëndrimet e politikës së jashtme të Trumpit deri më tani, dhe në fakt mbeten shumë pikëpyetje, është se sa pranë janë me ato të Barak Obamas. Retorika ka qenë shumë e ndryshme, por në shumë raste thelbi apo të paktën rezultati përfundimtar është kryesisht i njëjtë. Le ta shohim këtë në disa prej çështjeve më të nxehta.

Ukraina

Në rrafshin retorik, Obama dhe Trump nuk mund të jenë më shumë të ndryshëm sesa mbi këtë çështje. Administrata Obama e dënoi me forcë aneksimin e Krimesë nga Putini dhe përfshirjen e vazhdueshme të Rusisë në punët e brendshme të Ukrainës, ndërsa Trumpi në mënyrë famëkeqe ka ecur në drejtim të heqjes së përballjes me Rusinë nga platforma e Partisë Republikane gjatë Konventës Kombëtare Republikane dhe kjo në përgjithësi tingëllonte si shumë pro-ruse. Por kur bëhet fjalë për thelbin, çfarë ka bërë realisht administrata e Obamas për t’i kundërshtuar veprimet e Rusisë në Ukrainë? Ajo vendosi disa sanksione të njëanshme ekonomike. Por a përkrahu elementet anti-rusë brenda Ukrainës, me para, armë apo të dyja bashkë? Në një intervistë bishtnuese me Xhefri Goldbergun të “The Atlantic”, Obama shtjelloi teorinë se pse Shtetet e Bashkuara s’duhet të përballen me Rusinë: regjimi i Putinit nuk ndodhet “në anën e drejtë të historisë”, dhe është i destinuar të bjerë vetë, prandaj përballja me të është një humbje kohe dhe burimesh. SHBA-ja nuk ka bërë shumë për të zmbrapsur praninë e Rusisë në Ukrainë dhe qëndrimi i administratës Obama ka qenë shumë afër prirjeve të deklaruara të Trumpit, nga sa mund të mendohet.

Siria

Ka kaluar një kohë e gjatë prej vitit 2013 nga përdorimi i fjalëve si “vijat e kuqe”, ndryshimi i regjimit, armatosjes dhe trajnimit të të “moderuarve” dhe se “Asadi duhet të largohet nga pushteti”. Pas shumë incidenteve kur armët e SHBA-së përfundonin në duart e “Al Qaeda”-s apo grupeve të ngjashme dhe kur trupat e stërvitura nga SHBA-ja dezertuan tek këto grupe, mbështetja e Uashingtonit për kryengritësit anti-Asad u bë pak më shumë sesa simbolike. Kur Rusia vendosi të marrë situatën në dorë dhe mbështeti me forcë Asadin, duke marrë kontrollin e hapësirës ajrore të Sirisë, SHBA-ja reagoi me tone të larta, por nuk bëri asgjë me shkopin e saj të madh. Objektivat e administratës së Obamas u reduktuan tek sigurimi i mbështetjes për një koalicion anti-ISIS. Me fjalë të tjera, ngjante shumë si politika e Trumpit në Siri: goditje e fortë ndaj ISIS-it, lejimi i Asadit dhe Putinit të merren me pjesën tjetër dhe kthimi i kokës në një drejtim tjetër.

Irani

Që prej marrëveshjes bërthamore të Iranit, zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rodes, dhe vetë Barack Obama kanë pranuar në thelb se qëllimi i politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj marrëveshjeje qe lehtësimi i një rirreshtimi të forcave në Lindjen e Mesme, në të cilën SHBA-ja favorizon një ekuilibër pushtetit mes sunitëve dhe shiitëve, në vend se të hyjë në aleancë me sunitët kundër shiitëve. Në sipërfaqe, politika e jashtme e deklaruar e Trumpit është thjesht e kundërta: ai është zotuar të heqë dorë nga marrëveshja me Iranin dhe të mbështesë me forcë Izraelin (që është i neveritur nga politika dashamirëse e SHBA-së ndaj Teheranit).

Ka ende shumë gjëra që ne nuk i dimë dhe ka shumë mundësi që Trump të ndryshojë kursin. Por sa herë që ai ka kritikuar marrëveshjen Obama-Clinton me Iranin është sugjeruar se do të arrinte një pakt shumë më të mirë dhe se ai do të rrudhte me çdo mjet ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme. Dhe mos harroni, Rusia është në anën e Iranit në synimin e tij për të krijuar një të ashtuquajtur shtet shiit të gjysmëhënës shiite, të kontrolluar nga të mbështeturit prej tij në Irak, Siri dhe Libanin e Jugut. Me fjalë të tjera, nëse politika e jashtme e Trumpit është e “Putinifikuar” siç mendojnë disa, kjo mund të na çojë në të njëjtin vend si Obama, duke favorizuar Iranin në kurriz të Izraelit dhe shteteve sunite të Gjirit.

Kina

Këtu ne mund të shohim një ndryshim të vërtetë. Ndërsa shumëkush supozoi se fushata goditëse ndaj Kinës e Trumpit ishin vetëm fjalë, shumë nga lëvizjet e tij të fundit, nga telefonata e debatueshme që pati me liderin e Tajvanit, tek emërimet e personave skeptikë ndaj tregtisë së lirë ndërkombëtare, flasin për një dëshirë reale të ndryshimit të marrëdhënieve të Amerikës me Kinën.

Zgjedhja e Trumpit ka qenë një shenjë e kobshme vdekjeprurëse për marrëveshjen e tregtisë së Partneritetit Trans-Paqësor, që Obama e rendit si një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij. Fokusi shumë i madh fillestar i Obamas ndaj këtij rajoni u pasua shpejt nga një kthim i vëmendjes drejt Lindjes së Mesme dhe e njëjta gjë mund të ndodhë saktësisht me Trumpin. Por vlen të përmendet se qëndrimi i Obamas ndaj Kinës ka qenë gjithnjë e më konfrontues, në veçanti në lidhje me çështjen e militarizimit të Detit të Kinës Jugore, ku Obama urdhëroi marinën e SHBA-së të dërgonte anije për pohimin e pranisë së bashkësisë ndërkombëtare se deti në fjalë përfaqëson ujërat ndërkombëtare.

Ndërsa kritikët agresivë e akuzuan se lëvizjet qenë paksa të vonuara, ato qenë gjithsesi në mospërputhje me reputacionin e Obamas si i përkulur ndaj Kinës.

Shumë gjëra ende nuk i dimë, megjithatë shenjat e para sugjerojnë se ndërsa Trump mund të nxisë një ndryshim të vërtetë sa i përket Kinës, kur është fjala për Rusinë dhe Lindjen e Mesme, politika e tij ka pak dallime nga ato që ka bërë tashmë Obama. “The Week”./Zeri/.