Sulmi terrorist, në Izrael rritet siguria pas vrasjes me kamion të 4 personave

Bota January 09, 2017 - 15:00

Sulmi terrorist, në Izrael rritet siguria pas vrasjes me kamion të 4 personave Policia izraelite ka forcuar ndjeshëm masat e sigurisë në Jeruzalemin Lindor, duke u fokusuar më së shumti te lagjja e palestinezit që përplasi të dielën kamionin mbi grupin e ushtarëve, duke vrarë 4 prej tyre.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës palestinez në qytet gjatë muajve të fundit. Kadetët u shënjestruan teksa zbrisnin nga autobusi, që i kishte sjellë në shëtitoren “Armon Hanatziv”, e cila ofron një pamje panoramike të qytetit të vjetër.

Tri vajza dhe një djalë ishin viktimat e ngjarjes, që shkaktoi dhe 17 të plagosur. Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të gjitha shenjat tregojnë se agresori ishte mbështetës i ISIS-it, e kjo nuk do të ishte edhe aq befasuese, duke qenë se Shteti Islamik ka kërcënuar më parë se do ta sulmonte shtetin hebre.

Atentatori, i identifikuar si 28-vjeçari Fadi Qunbar, nga lagjja “Jabel Mukaber” në lindje të Jeruzalemit, e përplasi kamionin mbi ushtarët, e pastaj i dha gaz edhe mbrapsht. “Është e qartë, - thanë dëshmitarë okularë, - se qëllimi i tij ishte të godiste sa më shumë njerëz”.

Zona ku ndodhi sulmi është pushtuar nga Izraeli në vitin 1967. Muajt e kaluar, në Jeruzalem ka pasur disa raste të tjera të sulmeve me thikë ndaj forcave izraelite të sigurisë, ndërsa nuk kanë munguar edhe incidentet me armë zjarri dhe përplasje makinash mbi njerëzit, kryesisht nëpër stacione autobusi.