Trump nuk prek “Obamacare”-a, po ndryshon ai?

Bota November 12, 2016 - 13:12

Ndonëse ishte shprehur për të kundërtën, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, tani thotë se është i hapur që të lerë të paprekura disa pjesë të ligjit të shëndetësisë, të njohur si “Obamacare”.

Rrëzimi i ligjit të 2010-s ka qenë një prej zotimeve më të hershme të republikanit. Mesa duket, gjërat kanë ndryshuar disi dhe Trump thotë se do të mbajë në fuqi nenet që u ndalojnë kompanive të sigurimit mohimin e mbulimit për sëmundje paraekzistuese.

Ai i tha “Wall Street Journal” se favorizon gjithashtu pjesën që lejon të rinjtë të përfitojnë sigurime nga policat e prindërve të tyre.

“Këto janë dy shtylla të ligjit. Më pëlqejnë shumë”, deklaroi ai.

Trump këmbëngulte gjatë fushatës që “Obamacare” duhet të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë. Administrata amerikane kishte njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 përqind vitin e ardhshëm.

Edhe Hillary Clintoni bënte thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij. Mesa duket, ka qenë takimi me Obamën të enjten ai që e ka shtyrë Trumpin të ndërrojë mendim përsa i takon zëvendësimit të plotë të aktit të kujdesit shëndetësor.

Në një intervistë tjeter, dhënë këtë herë për CBS, republikani u shpreh se do të përpiqet që të ruajë disa pjesë të paketës së Obamës, ndërsa të tjerat do të zëvendesohen për t’u ofruar amerikanëve kushte sa më të mira për më pak para.