Mediat botërore krahasojnë Trump-in me horror e apokalips (VIDEO)

Bota November 10, 2016 - 13:44

Mëngjesi i 9-të nëntorit e gjeti botën të shokuar.

Ndodhi ajo që nuk pritej.

Rruga e kontroversit Donald Trump drejt Shtëpisë së Bardhë përfundoi me sukses madhështor.

E pabesueshme por e vërtetë – një kandidat i profilit të Trump, të cilit iu dhanë epitetet seksist, racist, ksenofob dhe manipulues me taksa, po merrte vota të mjaftueshme për të qenë në krye të shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik në botë.

Vëmendje të jashtëzakonshme mediatike ai pati edhe gjatë fushatës, por fitorja e tij tani përbënte kryelajmin botëror.

“Zot ruaje Amerikën” ishte titulli i gazetës Daily Telegraph që i bënte lutje perëndisë të kujdeset për amerikanët pas fitores së njeriut më të pazakontë në garën për president të SHBA-së.

Një lutje të ngjashme kishte edhe e përditshmja spanjolle El Periodico, që në ballinën e saj shkroi: “Zot fale Amerikën”.

Francezja “Liberasion” ishte më kreative duke e krahasuar fitoren e Trump me apokalipsin.

“Trumpocalypse” ishte titulli i kësaj gazete kurse fotografia e paraqiste Trump me një imazh frikësues.

Një tjetër ballinë interesante ishte ajo e gazetës amerikane Daily News.

Me një fotografi të Shtëpisë së Bardhë dhe referencë ndaj serialit “House of Cards” ajo thoshte: “Shtëpia e Horrorit”.

New York Post, në mëngjesin e së martës shokuese shkruante: “Thanë se s’mund të ndodhte, Trump President”. 

Në portalin më të njohur informativ, Huffington Post, kishin vetëm tri fjalë për presidentin e tyre: ANKTH: Trump President.

“Shtetet populiste të Amerikës”, shkruhej në ballinën e gazetës spanjolle La Rason.

Prestigjiozet amerikane “New York Times” dhe “Washington Post”, u ndodhën përballë një situate krejt të pazakontë. Titujt e ballinave i kishin identike: “Trump Triumfon”.

Një krahasim tejet të rëndë e pati e përditshmja belge L’Echo: “Psikopati amerikan”, titull i bazuar në filmin amerikan “American Psycho”. 

Është revista elitare intelektuale amerikane, New Yorker, ajo që i ka dhënë kësaj ngjarjeje të papritshme një epitet epik. Me shkronja të mëdha në ballinë, duke u ndërlidhur me kryeveprën letrare të Teodor Drajzer, shkruhej: “Tragjedia amerikane”.

Përgjatë kampanjës së tij elektorale, mediat ishin pozicionuar kundër tij, me përjashtim të televizionit tradicionalisht pro-republikan Fox News dhe gazetës The New York Observer, pronar i së cilës është dhëndri i tij.

Befasia e fitores së Trump dhe humbjes së Clinton u shoqërua edhe me triumf republikan edhe në dhomat legjislative të amerikanëve.

Në garën për Senat partia e Trump mori 51 ulëse në krahasim me 47 të demokratëve, kurse për Dhomën e Përfaqësuesve dallimi është edhe më i madh: 238 me 193 për republikanët.