Liderët botërorë përshëndesin zgjedhjen e Trump-it

Bota November 10, 2016 - 09:08

Liderët botërorë kanë nisur të urojnë presidentin e ri amerikan, duke vendosur theksin në një bashkëpunim të mëtejshëm drejt objektivave të përbashkëta. Ndërsa presidenti rus Putin deklaroi se tashmë do të zgjidhet kriza e marrëdhënieve mes dy vendeve. 

Donald Trump është presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Kandidati republikan ka fituar Shtëpinë e Bardhë duke tejkaluar 270 votat e nevojshme për të pushtuar presidencën.

Ndërsa bota përshëndet zgjedhjen e Trump-it, lideri italian, Matteo Renzi uron presidentin e ri të SHBA-ve:" Në emër të Italisë, i uroj atij punë të mbarë, i  bindur se miqësia mbetet e fortë dhe e qëndrueshme”.

Për kryeministrin, “Kjo është pikënisje e re për t’iu përshtatur komunitetit ndërkombëtar edhe rrjetit të mosbesimit të shkaktuar pas  fushatës zgjedhore. Është një faktor i ri politik, një fillim i ri”, ka thënë Renzi.

Edhe Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, përmes postimit në Twitter, ka uruar Donald Trump-in mbi fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve.

“Urimet e mia për Donald Trump-IN në fitoren e tij. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të përforcuar marrëdhëniet që na lidhin me SHBA-të, një partner i domosdoshëm”, është shprehur ai.

Për kryeministrin japonez, Shinzo Abe, aleanca që bashkon dy vendet do të mbetet e paprekur. “Stabiliteti i rajonit të Azi-Paqësorit, që është forca e ekonomisë botërore, mbështet në paqe dhe prosperitetin me SHBA-të”, shtoi Abe, përcjell "Zeri.info".

Ndërkohë, presidenca palestineze i ka kërkuar presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, të punojë për vendosjen e një shteti palestinez të pavarur duke paralajmëruar kundër rreziqeve nëse neglizhon çështjen palestineze.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me presidentin e zgjedhur në bazë të një zgjidhjeje për dy shtetet, me qëllim për të vendosur një Shtet palestinez në kufijtë e vitit 1967”, theksoi zëdhënësi i presidencës së Autoritetit Palestinez, Nabil Abou Roudeina.

Egjipti deklaroi se shpresonte për një erë të re në marrëdhëniet mes vendeve arabe më të populluara dhe SHBA-së.

Mes disa fushave, pikëpyetje ngrihen për klimën. Nëse ministrja franceze e Mjedisit, Segolene Royal ka theksuar se presidenti i ardhshëm nuk mund të pengojë zbatimin e marrëveshjes së Parisit për klimën, arritur vitin e kaluar, shefi i diplomacisë, Jean-Marc Ayrault, ka shprehur shqetësim dhe ka përmendur gjithashtu të ardhmen e Marrëveshjes për programin bërthamor iranian të arritur në vitin 2015.

Irani i ka kërkuar Donald Trump-it të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të arritura nga SHBA-të, ndërkohë që presidenti i zgjedhur ka thënë në të kaluarën se parashikonte të rishikonte angazhimet e vendit të tij me Teheranin.

Pas fitores së kandidatit republikan, aleatët perëndimorë të Uashingtonit shfaqën në pjesën më të madhe mes tyre kujdes.

“Lidhjet BE-SHBA janë më të thella, pavarësisht ndryshimeve politike”, theksoi shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Lidershipi i Uashingtonit është më i rëndësishëm se kurrë, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke shtuar se një Aleancë e fortë është e mirë për SHBA-të dhe për Evropën, ndërkohë, drejtuesja e re britanike Theresa May theksoi se priste mbajtjen e lidhjeve të forta me SHBA-të.

Brenda BE-së, disa reagime bien ndesh me disa mendime të matura të Brukselit.

“Ç’lajm i shkëlqyer. Demokracia gjithmonë mbijeton”, është shprehur kryeministri hungarez, Viktor Orban, populist i djathtë.

Merkel i ofron Trump-it bashkëpunim

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se për shkak të fuqisë ekonomike dhe ushtarake, SHBA-të kanë një rol dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme për zhvillimet në mbarë botën.

"Ai që qeveris këtë vend me potenciale kaq të mëdha ekonomike, ushtarake dhe kulturore, ai ka edhe përgjegjësi për zhvillimet që influencojë gati mbarë botën", theksoi Merkel duke shtuar se SHBA-të dhe Gjermaninë i lidhin vlerat.

Merkel e uroi presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump, por në mënyrë indirekte i bëri thirrje që t'i respektojë vlerat elementare demokratike.

"Mbi bazën e këtyre vlerave unë i ofroj presidentit të ardhshëm amerikan Donald Trump, një bashkëpunim të ngushtë", theksoi ajo në reagimin e saj të parë pas zgjedhjeve. Kancelarja Merkel nënvizoi në veçanti  vlerat e përbashkëta demokratike që respektohen në Gjermani dhe SHBA, siç janë: "Demokracia, liria, respekti, drejtësia dhe vlerat njerëzore, pavarësisht nga prejardhja e tyre, ngjyra e lëkurës, feja, gjinia apo orientimi seksual dhe politik".

Bashkimi Evropian uron Trump-in

Evropa ka uruar Donald Trump-in për fitoren, duke e ftuar në Samitin për marrëdhëniet BE-SHBA, për 4 vjetët e ardhshme.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk dhe ai i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i kanë dërguar një letër urimi Trump-it, ku shprehen se sot më shumë se kurrë, duhen forcuar marrëdhëniet transatlantike.

“Vetëm duke punuar ngushtë BE-ja dhe SHBA-të mund të vazhdojnë të bëjnë ndryshime kur diskutohet për sfidat e paprecedenta si Daesh, kërcënimet në sovranitetin e Ukrainës  dhe integritetin territorial, ndryshimet klimaterike dhe emigrimin”, thuhet në letrën e BE-së. 

Më tej thuhet se duhen konsoliduar urat që janë ndërtuar përmes Atlantikut. “Evropianët besojnë se Amerika, idealet demokratike të së cilës kanë qenë pikë referimi në të gjithë globin, do të vazhdojë të investojë në marrëdhëniet me miqtë dhe aleancat, për të ndihmuar që qytetarët dhe njerëzit në botë të jenë më të sigurt dhe me prosperitet”, vijon letra. /ZËRI/