Historitë tronditëse nën gërmadha (Video)

Bota August 24, 2016 - 22:58

Mediat italiane raportojnë se familje të tëra janë shuar nga lëkundjet e tërmetit.

Një çift i moshuar ishin të parët që u gjendën të pajetë por të përqafuar me njëri-tjetrin.

Po ashtu, një familje prej 4 anëtarësh, ndër të cilët një djalë 8 muajsh dhe një 9-vjeçar humbën jetën nën një çati.

Përveç asistencës së ekipeve të emergjencës, në qytezat e prekura duket se të gjithë po ndihmojnë njëri-tjetrin.

Motër Mariana është shqiptare. Ajo arriti t’i mbijetonte tërmetit duke u futur poshtë shtratit në manastirin ku jetonte.

Edhe pse e lënduar në kokë, ajo qëndron pranë trupit të një viktime, transmeton Top Channel.

Pas 9 orëve nën rrënoja, shpresat për Luçiano Perin ishin shuar plotësisht, por ai rezultoi të ishte një nga fatlumët që i mbijetoi kësaj tragjedie. Motra e tij Patrizia, ende e veshur me pizhamat e një mbrëmjeje më parë shikon me ankth vëllain teksa po nxirret nga rrënojat.

Luçiano: Ku është motra ime?

Patrizia: Jam këtu, nuk do të lë vetëm.

Një nga pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit rrëfen se nga gërmadhat dëgjohen zëra, por shembja e ndërtesave shumë herë nuk u jep mundësi të depërtojnë deri në sipërfaqe.

Punonjësi i shpëtimit: A merr dot frymë aty brenda?

E mbijetuara: Po, pak fare.

Punonjësi i shpëtimit: Pak, ok. E rëndësishme është të qëndrosh e qetë. Policia po vjen. Do përpiqemi të lëvizim këtë bllokun këtu, por po i presim dhe ata që të mos të të lëndojmë, në rregull?

Ekipet e emergjencës po shoqërohen me qen të specializuar posaçërisht për kërkimin e trupave, si dhe janë nën monitorimin e helikopterëve.

Ata po kërkojnë intensivisht nëpër rrënoja për persona të mbijetuar, edhe pse frika ekziston se në to mund të ketë trupa të tjerë viktimash, si dhe të tjera histori të trishta.