Vrasjet po përhapen si një sëmundje ngjitëse

Bota July 30, 2016 - 09:15

Atentatet dhe vrasjet po ndjekin njëra-tjetrën në hapësirë ​​kohe jashtëzakonisht të shkurtër. Kjo ngre pyetjen nëse autorët frymëzojnë të tjerët për të kryer të njëjtën vepër?

Orlando, Nice, Wuerzburg, Munich, Reutlingen, Ansbach. Një seri e egër e vrasjeve, pjesërisht me dhe pjesërisht pa sfond islamik. A ekziston një lidhje në mes të veprave të kryera, apo ndoshta, në kohën e medieve digjitale, një krim i jep sinjal kryerësve të tjerë që të sulmojnë? Dyshimet ekzistojnë, por është shumë vështirë të zbulohet kjo lidhje. Por edhe për shkak - me përjashtim të situatave ende të hapura në Florida - të gjithë autorët janë të vdekur. Vendimi i tyre për të marrë armët në rastin më të mirë mund të rindërtohet në bazë të provave rrethanore. Por intervali i shkurtër kohor në mes të këtyre vrasjeve është tepër irritues.

Së paku një formë e veçantë e krimit shpesh përfshin imitimin e aktit, ajo është gjakderdhja. Matematikania amerikane Sherry Towers nga Universiteti Shtetëror i Arizonës bëri një pasqyrë kronologjike të 468 sulmeve në Shtetet e Bashkuara në periudhën ndërmjet shkurtit 2005 dhe janarit 2013.

Duke u bazuar në hulumtimet e saj, ashtu siç ka shkruar, mund të arrihet në përfundimin e mëposhtëm: “Ekzistojnë indikacione kuptimplota se vrasjet që janë kryer me armë zjarri dhe si pasojë me një numër të vdekurish (mass killings) ishin të frymëzuara nga ngjarje të ngjashme në të kaluarën. Rreziku më i madh ekziston brenda 13 ditëve të para pas një gjakderdhjeje. Në atë periudhë kohore shtohet rreziku i ri i gjakderdhjes për 22 për qind”.

“Të menduarit infektues”

Gjakderdhja, thotë Towers, varet në mënyrë vendimtare nga disponueshmëria e armëve të duhura. Në SHBA, rreziku që të rinjtë mund të jenë qëlluar me armë është pesë herë më i lartë se në vendet e tjera të industrializuara. 87 për qind e të gjithë njerëzve të vrarë në mes 0-14 vjeç kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara. Shumë pak ndikim në këtë gjendje kishin çrregullimet mendore. Në kontrast, ndikim të madh kanë pasur raportet e medies për rastet e mëparshme të vrasjeve. Raportimet e medies, sipas Towers-it, munden që tek të rinjtë në një nivel të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm të ngjallin imitim të dhunës.

“Një formë e tillë infektive e të menduarit nuk është jobindës. Kështu, njerëzit e rinj labilë mund të jetë të gatshëm për të menduar në lidhje me vetëvrasjen kur paraprakisht raportohet për të në pothuajse të gjitha mediet. Gjithashtu është dëshmuar se raportet e vrasjeve dhe vetëvrasjeve mund të rrisë numrin e akteve përkatëse”. Towers paralajmëron se në kohë dhe hapësirë ​​aktet e dhunës duken sikur kemi të bëjmë me përhapje të sëmundjeve infektive.

Përgjegjësia e medieve

Raportimi i medieve në lidhje me përsëritjen e akteve të dhunshme luan një rol të madh, shkruan antropologu dhe sociologu Loren Coleman, autor i librit për imitimin e akteve të dhunshme. Ai i këshillon mediet se ndër të tjera të kenë në konsideratë zgjedhjen e

fjalëve. Kështu që, sipas tij, mediet nuk duhet të flasin për sulme të “suksesshme” të dhunshme dhe as në lidhje me sulme “ të dështuara” vetëvrasëse. Ai thotë se kjo ndikon që lexuesit individualë të arrijnë në përfundim se ka nevojë vetëm për stërvitje të mjaftueshme dhe pastaj mund të arrihet efekti i dëshiruar. Gjithashtu, thotë ai, duhet shmangur imazhet e stereotipave të tilla si, “i riu miqësor nga lagjja” ose “i çmenduri i vetmuar”. Shumica e këtyre tregimeve janë shumë më komplekse, paralajmëron Coleman.

Zeynep Tufekci, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Princeton, tregon se sa fuqi kanë imazhet: Vrasësi i armatosur rëndë jep përshtypjen e plotfuqishmërisë - dhe për këtë arsye mund të duket se bën thirrje që të imitohet. Për shkak të kësaj, thotë ajo, mediet duhet të jenë të përmbajtura kur është fjala për përdorimin e imazheve të tilla, si dhe kur është fjala për zbulimin e identitetit të vrasësit. Nëse emri publikohet, thotë Tufekci, kjo sugjeron popullaritet që imituesit e mundshëm gjithashtu e dëshirojnë.

Pra, mediet mund të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme për të animuar imituesit. Por nuk duhet të jetë mbitheksuar roli i medies, thotë avokatja dhe kriminologia Britta Bannenberg. “Në asnjë rast të vetëm nuk mund të thuhet tani për tani se mediet janë ato që kanë nxitur ndonjë vepër të tillë. Por mediet ndoshta luajnë një rol, sepse synojnë identifikimin e agresorit. Gjithmonë bëhet fjalë në lidhje me identifikimin me figura hakmarrëse dhe idhujt që kanë kryer akte të ngjashme”.

Ky proces, thotë Bannenberg, zakonisht shtrihet për muaj. Pjesën më të madhe të kohës kjo ndodh para një kompjuteri. Aty imituesi identifikohet me modelin e tij, aty gjen një justifikim për aktin e tij. Shumë persona mbajnë një ditar ose kanë shkruar tregime imagjinare, duke e përshkruar aktin. Ata janë të rrethuar nga armët e vërteta dhe të rreme, shkruajnë shënimet vetëvrasëse, ose paramendojnë se çfarë lloj të rrobave duhet të veshin gjatë aktit.

“Dhe vazhdimisht lexojnë në lidhje me kryerësit e tjerë, dokumente, pamje dhe video të vrasjeve, duke imituar veten si kryes të veprës”.

A-Raportimi i medieve në lidhje me përsëritjen e akteve të dhunshme luan një rol të rëndësishëm, shkruan antropologu dhe sociologu Loren Coleman, autor i librit, “Imitimi i akteve të dhunshme”. Ai i këshillon mediet se ndër të tjera të kenë në konsideratë zgjedhjen e fjalëve. Kështu që, sipas tij, mediet nuk duhet të flasin për sulme të “suksesshme” të dhunshme dhe as në lidhje me sulme “të dështuara” vetëvrasëse.

Pasqyra kronologjike e 468 sulmeve në SHBA

B- Matematikania amerikane Sherry Towers nga Universiteti Shtetëror i Arizonës bëri një pasqyrë kronologjike të 468 sulmeve në Shtetet e Bashkuara në periudhën ndërmjet shkurtit 2005 dhe janarit 2013. Duke u bazuar në hulumtimet e saj, ashtu siç ka shkruar, mund të arrihet në përfundimin e mëposhtëm: “Ekzistojnë indikacione kuptimplota se vrasjet që janë kryer me armë zjarri dhe si pasojë me një numër të vdekurish (mass killings) ishin të frymëzuara nga ngjarje të ngjashme në të kaluarën. Rreziku më i madh ekziston brenda 13 ditëve të para pas një gjakderdhjeje. Në atë periudhë kohore shtohet rreziku i ri i gjakderdhjes për 22 për qind.

C- Njerëzit e rinj labilë mund të jetë të gatshëm për të menduar në lidhje me vetëvrasjen kur paraprakisht raportohet për të në pothuajse të gjitha mediet.